Universiteti “Haxhi Zeka” Humb Edhe Një Betejë Gjyqësore

Profesori Bashkim Rrahmani ka fituar rastin në Gjykatën Themelore të Pejës kundër Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë.

Gjyqtari i rastit Fatmir Baloku ka anuluar vendimin e Universitetit për shkëputje të marrdhënies së punës ndaj profesorit Rrahmani dhe ka urdhëruar kthimin e tij në punë.

“Anulohet vendimi i Rektorit Naser Mrasori dhe vendimi i Komisionit për ankesa të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë i datës 25 nëntor 2014 dhe detyrohet e paditura që paditësin ta kthejë në vendin e punës”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Poashtu Universiteti “Haxhi Zeka” detyrohet që profesor Rrahmanit t’ia kompensojë të gjitha pagat që nga dita e largimit nga vendi i punës e deri në ditën e kthimit aty.

Profesor Rrahmani i kontaktuar nga KALLXO.com tha se paqartësitë i zgjidhi gjykata dhe se procesi ka shkuar mirë.

“Natyrisht jam i prirur që gjithmonë të besoj në drejtësi”, u shpreh ai.

Rrahmani ishte larguar nga puna për shkak se grada shkencore nuk po i njihej nga Universiteti dhe se mbiemri i tij kishte ngritur dyshime te menaxhmenti i Universitetit.

Gazeta “Jeta në Kosovë”, në dhjetor të vitit të kaluar kishte raportuar për largimin e tre ligjëruesve nga universiteti “Haxhi Zeka” .

Javën e kaluar gjyqin ndaj këtij Universiteti e fitoi edhe ligjëruesi Sokol Domniku, ndërsa ende pritet që Universiteti të përballet me ligjëruesen Majlinda Belegu.

Pritet që ky proces gjyqësor të mbahet gjatë këtij muaji.