Theret me Thikë një i ri në Afërsi të Urës së Ibrit, Suspendohen Tre Policë

Policia e Kosovës mbrëmë ka raportuar se një i ri serb nga veriu i Mitrovicës, është therë më thikë nga shtatë persona.

Sipas policisë, i riu ka marrë trajtim mjekësor në spitalin në Mitrovicën e Veriut dhe gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë.

Zyrtarë të stacionit policor në veri kanë thënë se incidenti ka ndodhur në lokalin “Dolce Vita” që gjendet në afërsi të urë kryesore mbi lumin Ibër dhe sulmuesit kanë ikur në drejtim të kësaj ure.

“Incidenti është inicuar si lëndim i rëndë trupor dhe vepër penale vrasje në tentativë e cila ka ndodhur në afërsi të urës së Ibrit. Besohet së paku pesë persona kanë ardhur nga drejtimi i urës së Ibrit dhe e kanë sulmuar një person pastaj kanë ikur në drejtim të njëjtë nga kanë ardhur”, tha Besim Hoti, zëvendës drejtor i Policisë së veriut të Mitrovicës tha për KALLXO.com.

Hoti tha se incidenti i djeshëm ka bërë që komanda policore e veriut t’i suspendojë tre zyrtarë të policisë nga stacioni i Mitrovicës së Veriut “për shkak te neglizhencës në punë”.

Ndërsa Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë për rajonin e Mitrovicës, nuk ka komentuar për këtë incident pasi që, sipas tij, rajoni i veriut është duke u marrë me të.