Themelimi i Gjykatës Speciale Gëzon Perëndimin

Deputetët e Kuvendit të Kosovës mund ta kenë marrë mbrëmë një vendim të rëndë për vendin të cilin e përfaqësojnë, por ky vendim po shihet si hap pozitiv nga vendet dhe organizatat perëndimore të cilat kanë kontribuuar në çlirimin dhe zhvillimin e Kosovës.

Të parët që reaguan pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjeve që kanë të bëjnë me këtë gjykatë ishin Zyra e BE-së në Kosovë, ambasadat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilat në një deklaratë të përbashkët ata vlerësuan se ky është një “hap i rëndësishëm” në rrugën Euro-Atlantike të Kosovës.

“Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi kanë demonstruar përkushtimin e tyre për sundimin e ligjit dhe për respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Dhomat e Specializuara janë instrument jetik për vendosjen e drejtësisë lidhur me pretendimet për krimet e supozuara gjatë konfliktit në Kosovë”, thuhet në deklaratë.

Një deklaratë të veçantë pas votimeve në Kuvend e ka lëshuar edhe Përfaqësuesja e Lartë/ e Bashkimit Evropian Federica Mogherini.

“Duke kuptuar që ky hap i deputetëve të Kuvendit të Kosovës nuk ishte i lehtë, ai është shenjë e përgjegjësisë dhe vendosmërisë për të nxjerrë të vërtetën dhe për të marrë vendime që janë në harmoni me rrugën evropiane të Kosovës”, ka thënë Mogherini.

Ajo është shprehur se BE-ja është e përkushtuar në ofrimin e asistencës në këtë proces dhe për të vazhduar punën me palët e përfshira për të përfunduar procesin e krijimit të mekanizmave të nevojshëm ligjorë në mënyrë që të mund të mbahen procese gjyqësore të pavarura dhe të drejta në një të afërme të parashikueshme.”

Ndërsa nga Londra, ministri Britanik për Evropë, David Lidington, mirëpriti vendimin e Kuvendit.

“Ky vendim i rëndë dhe i ndjeshëm ka demonstruar lidership dhe kurajo politike. Gjykata Speciale do t’i gjykojë dyshimet për krime lufte të kryera gjatë konfliktit në Kosovë. Themelimi i saj do të shënojë një hap të rëndësishëm në përpjekjet e Kosovës për ta trajtuar pandëshkueshmërinë dhe për ta ndërtuar sundimin e ligjit”, tha Lidington.

Ligjet janë miratuar por për të hyrë në fuqi, ata duhet të dekretohen nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Por kjo gjë duket e pritshme nëse lexohet deklarata e saj e lëshuar pas votimit të mbrëmshëm.

Ajo përshëndeti vendimin e Kuvendit të Kosovës për të miratuar amendamentet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale duke e vlerësuar këtë si “një përmbushje të obligimeve ndërkombëtare të vendit”.

“Presidentja Jahjaga vlerëson se themelimi i Gjykatës Speciale, bazuar në kuadrin legjislativ, dëshmon përkushtimin e Kosovës në parimin  drejtësi  për të gjithë”, thuhet në deklaratën e Presidencës së Kosovës.

Presidentja Jahjaga ka theksuar se Gjykata Speciale do të adresojë akuzat e ngritura nga raporti i Këshillit të Evropës dhe ajo “nuk do gjykojë përpjekjen tonë kolektive për çlirim dhe liri”.