KRU Hidrodrini, Foto: Facebook

Thahet Komuna e Pejës, 12 Orë në Ditë Pa Ujë

Një pjesë e madhe e banorëve të Komunës së Pejës po përballen me 12 orë reduktime të ujit të pijshëm në ditë. Këto reduktime kanë filluar dy ditë me parë dhe nuk kanë ndonjë afat se deri kur do të zgjasin.

Mevlyde Idrizi, zëdhënëse e kompanisë rajonale të ujësjellësit “Hidrodrini” tha për Kallxo.com se arsyeja e këtyre reduktimeve në sezonin e verës është për shkak të temperaturave të larta dhe rënies së nivelit të ujit në burime.

“Problemi i ndërprerjes së ujit ka të bëjë me ngritjen e temperaturave të larta, është shtuar edhe konsumimi i ujit dhe ka rënë edhe niveli i ujit nëpër burime. Si faktor tjetër është edhe keqpërdorimi nga konsumatorët në këtë periudhë verore”, tha Idrizi.

Ajo ka bërë të ditur së reduktimet kanë filluar me datën 7 korrik dhe nuk kanë ndonjë afat së deri kur do të zgjasin.

Zëdhënësja e “Hidrodrinit” theksoi së brenda qytetit me 12 orë reduktime të ujit do përballen disa bashkësi territoriale të qytetit të Pejës. Bashkësia territoriale “Haxhi Zeka” 1 dhe 2, “Dardania”, ”Rrokaqielli”, ”7 shtatori” dhe Vitomerica do mbesin pa ujë nga ora 7:00 e mëngjesit deri në ora 20:00 të mbrëmjes.

Reduktime të ujit do të ketë edhe në 13 fshatra të Komunës së Pejës, të cilët nuk do të kenë ujë të pijshëm nga ora 20:00 e mbrëmjes deri në 7:00 të mëngjesit.

Fshatrat që do mbesin pa ujë janë: Pavlan, Zahaq, Llabjan, Ramun, Leshan, Gllaviçicë, Kliqinë, Qungur, Nakell, Nabergjan, Ruhot, Lutogllavë dhe Trestenik.

Zyrtaret e kompanisë rajonale “Hidrodrini” ka bëre apel tek qytetarët që mos ta keqpërdorin ujin e pijshëm në sezonin e verës për shkak të problemit në fjalë.