Tentoi Ta Rrëmbejë Ish-Bashkëshorten, Përballet me Gjykatën

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, u mbajt seanca ku të akuzuar janë Ilir Kuqishta, Jakup Ramadani, si dhe Samet e Afrim Arifi.

Ilir kuqishta,  sipas aktakuzës së prokurores Florije Salihu-Shamolli, akuzohet se  më 22 nëntor të vitit të kaluar ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në tentativë, duke dashur të privojë nga jeta të riun F. T., 13 vjeçar, ndërsa ka rrezikuar edhe anëtarët e tjerë të familjes Topalli.

Kuqishta këtë veprim e ka bërë duke tentuar të marrë ish-bashkëshorten e tij, Vonesa Topalli. Për këtë ai akuzohet për veprën penale të rrëmbimit.

Kuqishta akuzohet edhe për veprën penalë të kontrollit  ose mbajtjes së paautorizuar të armëve.

Sipas aktakuzës, Ilir Kuqishta akuzohet se duke përdorur forcën nën kërcënimin  e armës ka rrëmbyer ish bashkëshorten e tij Vonesa Topalli me qëllim që ta detyrojë të bashkëjetojë me të, edhe pse e dëmtuara kishte refuzuar këtë.

Jakup  Ramadani, Samet e Afrim Arifi akuzohen në dhënien e ndihmës kryesit të veprës penale, pasi që kishin ndihmuar të akuzuarin që të kalonte kufirin për në Maqedoni në rrugë ilegale.

Seanca e paraparë të mbahej sot u shty për 9 shtator, pasi që të akuzuarit Jakup Ramadani, Afrim e Samet Arifi munguan në seancë.

Kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi, tha se nuk është konfirmuar se të akuzuarit e kanë pranuar ftesën pasi që mungon fletëdorëzimi i kthyer.

Sot, qysh në fillim të seancës,  Fahrije Topalli, nëna e Vonesa Topallit kërkoi përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues Ibrahim Idrizi.

“Unë nuk kam besim që ky gjyqtar të jetë kryetar i trupit gjykues në këtë çështje penale pasi që për një kohë shumë të shkurtër është liruar nga paraburgimi i akuzuari Ilir Kuqishta”, tha Topalli.

“Duke pasë parasysh peshën dhe rëndësinë e veprës penale si dhe kohën e shpejtë që iu ka ndërpre paraburgimi, dyshoj se këtu është në pyetje korrupsioni”, tha Topalli.

Kryetari i trupit gjykues e pyeti Topallin se a kishte ndonjë argument për korrupsion duke e paralajmëruar se shpifja është një vepër e dënueshme, dhe se “çështja e besimit është diçka që ia ofron ligji”.

Kryetari i trupit gjykues, e njoftoi palën se kërkesa për përjashtimin e gjyqtarit, e avokatit mbrojtës të të dëmtuares Bahtir Troshupa, është refuzuar me aktvendimin  e Kryetarit të Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Avokati mbrojtës Troshupa tha se ai vetëm e kishte dorëzuar kërkesën për përjashtim, në emër të Fahrije Topallit dhe se kërkesa nuk ishte e tij.