Teknologjia Informative e Vë Në Situatë Të Pavolitshme Prokurorin

Në Gjykatën Themelore të Prizrenit të hënën u mbajt shqyrtimi Gjyqësor ndaj Fatmir Gjurgjealit, ish-zyrtarit policor i cili po akuzohet për vepër penale të zbulimit të fshehtësive zyrtare.

Sipas Kodit Penal, vepra penale me të cilën ngarkohet Gjurgjeali parasheh dënim me burg deri në 5 vjet.

Seanca e fundit për këtë gjykim është mbajtur para më shumë se tre muajve, ndërsa zvarritjet e kësaj lënde janë bërë për shkak të mungesës së ekspertizës.

Të hënën, në gjykatë prezantuan dy përfaqësuesit nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, Avdush Jashari dhe Blerim Krasniqi.

Jashari, tha se ekspertiza është bërë vetëm në ekzaminimin e  kompjuterit të shkyçur nga rrjeti, e jo edhe në emailit privatë të të akuzuarit, ngase sipas tij kërkesa për qasje në emailat privatë duhet t’ u bëhet kompanive që i kanë në pronësi ato emaila e kjo tha se është jashtë fushëveprimtarisë së Agjencisë për Forenzikë.

“Ekspertimi kryesisht është fokusuar vetëm në atë pajisje të cilën e kemi pasur, jo në emailat privatë. Analizimi i tyre nuk bëhet nga agjencioni jonë, të dhënat për emailat privatë kryesisht ruhen në ato kompani të cilat i kanë në pronësi ato emaila”, tha Jashari.

Ai poashtu tha se nga Policia e Kosovës nuk kanë pranuar të dhënat për emailin zyrtar të të akuzuarit Gjurgjeali. Eksperti tha se sikur policia t’ i kishte ofruar këto të dhëna, agjencia do të kishte mundur të ketë qasje edhe në emailat e dërguar edhe në ato të pranuara në emailin zyrtar.

Derisa eksperti sqaronte mendimin e dhënë në ekspertizë, prokurori dhe trupi gjykues parashtronin pyetje nga të cilat vërehej se nuk e kishin të qartë se çfarë ekspertize kishte bërë eksperti, ata ngatërronin ekspertizën kompjuterike me ekspertizën për llogarinë personale të akuzuarit.

Kjo bëri që eksperti i dytë Blerim Krasniqi, ta shpjegojë këtë dallim para gjykatës.

“Për hir të sqarimit, në llogarinë e juaj zonja gjyqtare, unë muj me e përdor e-mailin tim, mundem me u kyç me emailin tim qoftë zyrtar apo qoftë privat, mirëpo llogaria juaj mbetet në kompjuter, e juaja e jo e imja, a e keni të qartë tash”, tha Krasniqi.

Pas kësaj prokurori i rastit i propozoi trupit gjykues që ta detyrojë Departamentin e Teknologjisë Informative të Policisë së Kosovës, që t’ i ofrojë të dhënat për emailin zyrtar të akuzuarit, mirëpo këtë propozim e kundërshtoi avokati i të akuzuarit me arsyetimin se objekt i akuzës nuk është emaili zyrtar por është ai privat dhe kjo sipas avokatit Bashkim Nevzati del jashtë objektit të aktakuzës së ngritur.

I gjendur para një situatë të tillë, prokurori Hamitaga tha se nuk ka dijeni të mjaftueshme sa i përket kësaj lënde.

Ai tha se nuk është në gjendje që vet ta kuptojë mirë lëndën, madje deklaroi se do të kërkojë që lënda të përfaqësohet nga prokurori që ka përpiluar aktakuzën, i cili tani është në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Pas diskutimeve mes palëve, në fund prokurori kërkoi 15 ditë kohë që të bëjë propozimet.

“Brenda afatit prej 15 ditësh, trupin gjykues do ta njoftoj me shkrim lidhur me propozimet konkrete”, tha prokurori Hamitaga.

Aktakuza ndaj Fatmir Gjurgjealit e ngritur në maj të vitit 2012 nga Prokuroria Themelore e Prizrenit e ngarkon Gjurgjealin se nga viti 2009 në vazhdimësi, në cilësinë e mbikëqyrësit të zyrës dhe zëvendësshefit të Njësisë së Inteligjencës Kriminale Rajonale në Prizren pa autorizim i ka dërguar informacione një shtetasi të huaj.

Sipas prokurorisë, këto informacione, Gjurgjeali, në mënyrë elektronike i ka bartur fillimisht në email-at e tij privatë, e pastaj u ka mundësuar personave të paautorizuar të kenë qasje në këto dosje.

Seanca e radhës do të mbahet më 13 mars 2015.