Të Paraburgosurit që 3 Vjet e 7 Muaj i Vazhdohet Paraburgimi

Nezir Kryeziut, i cili gjendet në paraburgim që 3 vjet e 7 muaj, Gjykata e Prizrenit i ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj të tjerë. Ai dyshohet për veprat penale vrasje, vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

“Të pandehurit  i vazhdohet  paraburgimi edhe për 2 muaj, i cili zgjat deri më datën 29.11.2014’’, njoftoi Afërdita Kicaj, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren.

Nezir Kryeziu akuzohet se në shkurtin e vitit 2011 në zyrën e firmës ‘’Malik Impex’’ në Prizren, ka vrarë 22- vjeçarin Burim Shabani, ndërsa ka plagosur edhe babanë e tij Xhavit Shabanin, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Prokuroria e EULEX-it ngarkon këtë 52 vjeçar nga Suhareka se qëlloi me shtatë plumba të ndjerin Shabani,njëri prej të cilëve e goditi viktimën në kokë.

Me të njëjtën armë, sipas prokurorisë, Kryeziu gjuajti në drejtim të Xhavit Shabanit, babait  të të vrarit, të cilin e qëlloi me dy plumba: njërin rrëshqitas në kokë, e tjetrin në kraharor, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Incidenti dyshohet se ka ndodhur për një borxh material.

Për këtë rast është marrë një vendim nga Gjykata Themelore e Prizrenit, mirëpo për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, rasti është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Gazeta Jeta në Kosovë ka ndjekur këtë gjykim http://www.gazetajnk.com/?cid=1,1018,5184