Tahiri: Duke Folur për Kufirin e Gazivodës Serbia po e Njeh Kosovën
Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri tha për KALLXO.com se në takimet e palës serbe dhe asaj kosovare asnjëherë nuk është diskutuar për çështjen e aseteve të Kosovës.
“As në takimin e Kryeministrave nuk ka pasur një temë të tillë. Qëndrimi ynë për çështjen e Ujmanit, përkatësisht për çështjen e të gjitha aseteve të Kosovës është që për këto tema nuk bisedojmë me askënd në asnjë rrethanë”, tha Tahiri.
Ajo tha se vetë fakti që pala serbe flet për ndarjen e kufijve mes Kosovës dhe të Serbisë, kjo e fundit po e pranon që Kosova është shtet më vete.
“Mendoj se, e para, ai e ka njoftë shtetin e Kosovës me këtë qëndrim duke folur se ku ka më shumë apo më pak pjesë të liqenit”, shtoi ajo.
Nga ana tjetër, Serbia ka nxjerrë një raport për implementimin e marrëveshjeve të arritura në mes Kosovës e Serbisë për serbët e Kosovës.
Sipas këtij raporti, është zvogëluar siguria e serbëve, veçanërisht nga fillimi i këtij viti.
“Republika e Serbisë dhe populli serb në Kosovë janë veçanërisht të shqetësuar me mungesën e vullnetit të dukshëm të ndërmjetësuesve ndërkombëtarë për të ushtruar presion vendimtar në elitën politike në Prishtinë për të zbatuar angazhime të rëndësishme në kuadër të marrëveshjeve për implementim”, thuhet në raportin e nënshkruar nga Marko Gjuriq – drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Raporti akuzon politikën kosovare se kanë krijuar një situatë ku strukturat politike kryesore në Prishtinë janë më shumë të preokupuar në luftën e tyre për pushtet dhe autoritet duke hezituar kështu të angazhohen në punë të vështira për reforma të gjithanshme të të gjithë shoqërisë.
“Kjo është një situatë e rrezikshme që po shkakton diskriminim kundër pjesëtarëve të popullit serb”, thuhet ndër të tjera në raport.