Studentët Paralajmërojnë "Protesta të Dhunshme"

Ka përfunduar protesta e një grupi të studentëve të Universitetit të Prishtinës, për të vazhduar të martën në ora 11:00.

“Protesta u mbyll sepse ne kishim një marrëveshje me Policinë e Kosovës që situata të mos dilte nga kontrolli dhe në mënyrë që askush të mos marrë përgjegjësi dhe të mos përballet me organet e rendit për shkak të një rektori të vetëzgjedhur dhe i cili ka uzurpuar tërësisht Rektoratin e Univeristetit të Prishtinës”, tha Softolli.

“Ne nuk do ta lajmrojmë marshin në Policinë e Kosovës, por do të ketë aksione të dhunshme deri në realizimin e kërkesave tona gjithëstudentore”, tha Argjend Softolli.

Pas Ultimatumit, Studentët Protestues po Negociojnë me Prorektorët

12:19

Tre përfaqësues të studentëve protestues, të prirë nga organizatori i tyre Argjend Softolli, para pak çastesh kanë hyrë për të biseduar me Rektorat rreth zgjidhjes së kërkesave të tyre.

Burime nga brenda Rektorati bëjnë me dije se ata tashmë janë në takim me Prorektorët.

Studentët Ultimatum 15-minutash Rektorit
12:02

Marshi i studentëve protestues që aktualisht po qëndrojnë para hyrjes së objektit të Rektoratit, i kanë dhënë ultimatum rektorit të UP-së, Ramadan Zjenullahu që të dalë dhe të bisedojë me ta për kërkesat e tyre. Në të kundërtën ata thanë se do ta  kërkojnë dorëheqjen e tij.

“I kemi dhënë afat 15 minutash rektorit që të dalë dhe të bisedojë me ne. Në të kundërtën, ne do ta kërkojmë dorëheqjen e tij”, tha organizatori i protestës, Argjend Softolli.

Në përkrahje të protestës ka dalë edhe Xhavit Jashari – kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të luftës së UÇK-së, i cili është parë në mesin e protestuesve.

Për më tepër, marshi protestues i studentëve tashmë janë duke qëndruar para hyrjes së objektit të Rektoratit. Ata fillimisht janë ndaluar nga policia e Kosovës në hyrje të oborrit të Rektoratit. Por pasi organizatorët e protestës kanë premtuar se protesta do të jetë e qetë, ata më pas janë lejuar të hyjnë brenda oborrit.

Marshi i tyre ka filluar diku pas orës 11:00 nga konviktet e studentëve. Ata vazhdimisht kanë qenë të shoqëruar nga policia e Kosovës.

Kërkesa kryesore e tyre është që të kthehet sistemi i vjetër i kalimit të vitit akademik në Universitet, duke kërkuar kështu  më shumë afate të provimeve.

Besa Maliqi