Stacioni i Autobusëve në Viti Pa Strehë për Udhëtarët

Stacioni i autobusëve në Viti që nga viti 2006 nuk ka lokale ku udhëtarët mund të presin autobusin. Ata rrinë jashtë në një ambient pa ndriçim e tualet duke pritur këtë mjet transportues.

Mungesën e kushteve në stacion e dëshmon i moshuari Mujë Zahiri. Ai tregon pse hyri në autobus shumë kohë para se ai të nisej.

“Po hina bac se veç me u mërdhi. Stanicë s’ka, ktynehere ka pasë stanicë, e hishmi e u nxejshmi, edhe kur ardhke autobusi hypshmi” thotë Zahiri.

Edhe Fatmir Emini, njëri nga operatorët tregon se ekzistonte objekti i stacionit i ndërtuar rreth viteve ’60, por sipas tij ishte shkatërruar tërësisht nga komuna në vitin 2006, për shkak të kushteve jo të mira që ofronte.

“Në mungesë të kushteve ai më s’ka qenë lokalitet për me i pritë nxënësit dhe pasagjerët. Pa derë e pa dritare, kundërmonte, shiu hynte brenda, hyshin edhe qen endacakë ” thotë Emini.

Ai nuk ia zë për të madhe komunës që rrënoi objektet e vjetra të stacionit, por që nuk po i ndërton të rejat.

“Unë nuk mundem me i kuptu organet komunale, gjegjësisht Drejtorinë e Shërbimeve Publike. Qe  7-8 vjet jemi pa lokal, pa stacion” ankohet Emini.

Aliu bën me dije se projekti ideor i bërjes së stacionit me objekte dhe kulm është miratuar, ndërsa është gjetur edhe donatori.

“Unë shpresoj shumë shpejt, është çështje ditësh apo muaji dhe edhe qytetarët e Vitisë do t’i gëzohen stacionit të autobusëve dhe do ta bëjnë pritjen në mënyrë komode ashtu siç e meritojnë” premton Aliu.

Por i lodhur me pritjen që nga viti 2006 për rregullimin e stacionit, Fatmir Emini kërkon nga komuna që ose t’i dalë zot kësaj pune, ose ta privatizojë stacionin.

“Njërën rrugë duhet me e hap, o ta privatizojmë, o të merret me këtë punë organi komunal-shtetëror. Ta bëjë objektin, ti vërë punëtorët e caktuar” jep ide për zgjidhje Emini. (-02:38-02:50)

Edhe konduktori Valmir Sahiti kërkon që komuna të merret më seriozisht me çështjen e rregullimit të stacionit.

“Kërkesa kryesore e imja është për komunën që të merren më seriozisht me këtë çështje, që të krijohen kushte për pritje të nxënësve dhe udhëtarëve, ta bëjnë ndriçimin e stacionit dhe të ketë përkujdesje nga ana e policisë” thotë Sahiti.

Ai tregon se për shkak të territ, nxënësit gjatë orëve të natës krijojnë probleme në stacion.

“Nuk ka ndriçim dhe ka probleme të ndryshme, sepse këtu është një terr dhe nuk dihet se çfarë po bëhet, nuk ka siguri” shpjegon Sahiti.

Për kushte të vështira në stacion ankohet edhe nxënësja Florentina Bislimi.

“E presim(autobusin) në këmbë. Deri sa të vjen autobusi rrimë jashtë. Edhe dimrit mundet me qenë shumë ftohtë, po ne jemi të detyruar të rrimë jashtë” thotë Bislimi.