Sot Pritet Vendimi për Masën e Sigurisë Ndaj Oliver Ivanoviqit

Gjykata Themelore në Mitrovicë pritet të vendosë sot rreth masës së sigurisë ndaj të pandehurve Oliver Ivanoviq dhe Dragolub Delibashiq, të akuzuar për krime të luftës.

Një vendim qe pritur të merrej gjatë ditës së djeshme, por ai u shty për sot.

Pjesa e seancës së djeshme në gjykatën në veri të Mitrovicës ku u diskutua për këtë masë ishte e mbyllur për publikun.

Ivanoviq filloi grevë urie më 7 gusht, kur kuptoi se i është vazhduar paraburgimi deri më 6 tetor., ndërsa e ndërpreu këtë grevë më 22 gusht.

Gjatë kohës së grevës, lirinë e tij dhe ndërprerjen e paraburgimit e kërkuan në Prishtinë e Mitrovicë përkrahës të Ivanoviqit.

Një javë pasi filloi grevën, një panel i Gjykatës së Apelit e modifikoi vendimin e mëparshëm të gjykatës duke mos ia vazhduar paraburgimin Ivanoviqit deri më 6 tetor.