Sondazh: Shqiptarët Kanë Rezerva Ndaj Serbëve

Më shumë se 90 për qind e shqiptarëve nuk e kanë vizituar kurrë Serbinë, ndërsa vetëm 13 për qind e tyre e konsiderojnë marrëdhënien midis dy vendeve të mirë, tregon një sondazh i ri.

Rreth 45 për qind e shqiptarëve e konsiderojnë marrëdhënien me Serbinë si “normale” dhe 54 për qind besojnë se lidhjet do të përmirësohen dhe se marrëdhëniet shqiptaro-serbe janë të rëndësishme, thotë një studim i ri.

Por vetëm 13.4 për qind e shqiptarëve e konsiderojnë marrëdhënien të mirë tani dhe 29.5 për qind e vlerësojnë si të keqe.

Instituti Shqiptar për Kërkime Ndërkombëtare AIIS prezantoi sondazhin rreth perceptimit të Serbinë në Shqipëri duke përdorur 1200 të intervistuar shqiptarë mbi 18 vjeç.

Sondazhi, sponsorizuar nga organizata gjermane Friedrich Ebert Stiftung në Tiranë, u lansua gjatë një prezantimi nga Qendra e Marrëdhënieve Shqiptaro-Serbe, një iniciativë e përbashkët e AIIS dhe Lëvizjes EVropiane të Serbisë.

Sondazhi përfundon se shqiptarët besojnë se qeveritë kanë marrëdhënie më të mira sesa shoqëritë.

Marrëdhëniet ndërqeveritare konsiderohen si normale nga 54.7 për qind e atyre që u intervistuan, me vetëm 18.8 për qind që i konsideronin si të këqija.

Nga ana tjetër 42.5 për qind e njerëzve i konsiderojnë marrëdhëniet shtetas me shtetas si normale, 27.5 për qind i vlerësojnë si të këqija dhe vetëm 13.8 për qind si të mira.

Aldo Bega, një nxënës 16-vjeçar në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, tha për BIRN se ndërsa qeveritë e Shqipërisë dhe Serbisë po luftojnë për të ndërtuar marrëdhëniet, njerëzit nga të dyja anët janë ende larg njëri-tjetrit.

“Si njerëz ne nuk gjejmë paqe me serbët për sa kohë që ata e konsiderojnë Kosovën si Serbi,” tha ai.

Sondazhi zbuloi se 92 për qind e shqiptarëve nuk e kanë vizituar kurrë Serbinë dhe 79 për qind nuk kanë lexuar kurrë një autor serb.

Shumë shqiptarë – 47 për qind – besojnë se armiqësia historike mes dy vendeve është pengesa më e madhe me të cilën përballen vendet.

Jonuz Buzo, një profesor i dalë në pension, tha për BIRN se rindërtimi i marrëdhënieve të mira me Serbinë është i vështirë prej armiqësive historike.

“Ne kemi pasur marrëdhënie të ndërlikuara prej vitesh, ndaj gjërat nuk mund të ndryshojnë kaq shpejt”, tha ai.

Shoku i tij, Mehmet Beqja e sheh Kosovën si pengesën më të madhe mes dy vendeve.

“Nuk është e lehtë të harrohet se çfarë i ndodhi kosovarëve. Ata janë gjithashtu shqiptarë ndaj është e vështirë për ne ta harrojmë më të shkuarën,” tha ai për BIRN.

Një sondazh i ngjashëm i mbajtur do të mbahet në Serbi në nëntor në përpjekje për të zbuluar perceptimet serbe ndaj shqiptarëve dhe për të përdorur të dhënat për iniciativa të mëtejshme pajtimi mes dy vendeve.

Marrë nga Reporter.al