SMS-të e Mjekëve Të Arrestuar

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Besim Kelmendi të premten ka kërkuar caktim të paraburgim prej 30 ditësh ndaj nëntë mjekëve të dyshuar por jo edhe ndaj ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, Sekretarit të Përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani, dhe ish drejtorit të QKUK-së, Njazi Gashi.

Seanca ndaj nëntë të dyshuarve Lulzim Brovina, Borçe Petrovski, Ali Hocogllu, Astrit Bakiqi, Nexhmi Zeqiri, Daut Gorani, Eefedin Muhaxheri, Murat Abazi dhe Reshat Emra është duke vazhduar në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Dymbëdhjetë mjekët dyshohen për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrje e ryshfetit”, “Dhënie e ryshfetit” dhe “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike”.

E deri te këto dyshime prokurori i Prokurorisë Speciale, Besim Kelmendi ka ardhur pas përgjimeve të bisedave dhe mesazheve që janë shkëmbyer mes mjekëve të arrestuar.  Këto mesazhe janë siguruar nga KALLXO.com e të cilat janë dokumentuar edhe në kërkesën e prokurorit për caktimin e paraburgimit ndaj nëntë të dyshuarve.

Në komunikimin mes Draut Gorani dhe Astrit Bakiqi në një mesazh Astriti i shkruan Dautit “Sps, të hanen e kam një pac. ( pacient) X.X. për koro. (koronografi). Unë nuk ndalem”.

Ndërsa në një mesazh tjetër Astriti i shkruan sërish “ Le m… tja marrin lekët”.

Komunikimi tjetër vazhdon nga mjeku Nexhmi Zeqiri me Daut Goranin, ku Nexhmiu i shkruan Dautiti “Mirëmëngjesi dosti jem, të përshëndes nga ulqini, koha dhe uji ok! Mos harro naj pacient ta qojm tek maqedont se ende po mundona me ju q… nane me qmime, jam në negociata ende. dije që 500 jan tuat.klm”.

Mjeku Nexhmi Zeqiri i shkruan edhe kështu edhe kolegut të tij Lulzim Kamberi “Mirëmëngjesi Luli, tregoju në Emergjenc me të thirr ty. Nëse ke ndonjë pac. ( pacientë) për te maqedont tregom me SMS dhe 500 euro jan tuat. unë rreth orës 19-20 Jam”.

Po ashtu mjeku Nexhmi Zeqiri i shkuan edhe kolegut të tij Ali Hocaoglu një sms në të cilin thuhet “Z.Ali jam dr. Nexhmi Zeqiri- kardiologu që punon në Nj. Koronare (Njësia Koronare) te QKUK. Ka koh që kam kërkuar te ju takoj juve ne tel. edhe përmes Astritit por kot. Kam nevoj te ju takoj ty dhe Astritin për arsye se 6 pacient nuk mi keni paguar parat ende”.

Avokatët e të dyshuarve nuk po pajtohen me kërkesën e Prokurorit Special për caktimin e paraburgimit ndaj mjekëve të dyshuar.

Besnik Berisha, avokat i të dyshuarit Nexhmi Zeqiraj, shef i Njësisë Koronare, tha se prokurori i rastit për çudi kërkoi masën e paraburgimit ndaj mjekëve dhe jo ndaj ministrit Ferid Agani dhe Sekretarit, Gani Shabani.

“Për çudi prokuroria sot tha se nuk ka kushte për të kërkuar masën e paraburgimit për këta tjerët ( ministrin dhe sekretari) përderisa insistoj edhe më tutje që vetëm masa e paraburgimit për mjekët dhe zyrtarët e spitaleve private është masë adekuate”, tha Berisha.

E të njëjtin mendim e ndau edhe Asdren Hoxha avokati i të dyshuarit Ali Hocogllu, drejtor i IMH-së

“Prokuroria ka propozuar caktim të paraburgimit prej 30 ditësh për të gjithë të pandehurit edhe pse mua më befason sepse bartësit e institucioneve që janë dëgjuar dje që janë ministri, sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë dhe ish drejtori i QKUK-së nuk gjinden në këtë kërkesë”, tha Hoxha.

Ai ndër tjerash pohoi se prokuroria nuk ka dhënë arsyetim se përse nuk është kërkuar paraburgim edhe ndaj ministrit Ferid Agani dhe Sekretarit Gani Shabani.

Ndërsa Tahir Rrecaj, avokat i Borçe Petrovski, mjek në Spitalin Intermed, tha se ndaj klientit të tij është kërkuar caktimi i paraburgimit për tri arsye.

“Në kërkesën e tij prokurori ka paraqitur arsyen e tij se gjëja ekziston mundësia e ikjes së klientit tim, ndikim te dëshmitarët dhe përsëritje e veprës penale”, tha Rrecaj.

Nëntë të pandehurit janë arrestuar të enjten nga Njësiti për Krime Ekonomike i Policisë së Kosovës gjatë një operacion të gjerë në Prishtinë dhe Pejë. Të dyshuar në këtë rast janë edhe Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, Sekretari i Përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani dhe ish drejtorit të QKUK-së, Njazi Gashi.