Ilustrim
Skënder Hyseni: Liberalizimi i Vizave Është Politizuar
Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, u tha sot anëtarëve të Komisionit Parlamentar të Integrime Evropiane se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën është politizuar dhe se kriteret që vendi duhet t’i përmbushë për të lëvizu lirshëm në zonën Shëngen janë duke u zgjeruar vazhdimisht.
Hyseni është duke raportuar në komision pikërisht për procesin e liberalizimit të vizave.
“Liberalizimi i vizave tashmë është bërë çështje politike dhe nuk ka të bëjë aq shumë me plotësimin e kritereve. Kriteret për Kosovën vazhdimisht po zgjerohen”, tha Hyseni para deputetëve.
Kosova ka mbetur vendi i fundit në rajon që nuk ka marrë lejen e shteteve të Zonës Shëngen për të udhëtuar lirshëm brenda kësaj zone dhe vlerësohet të jetë vendi më i izoluar në Evropë.
Hyseni tha se pavarësisht se kosovarët janë shumë pro-evropianë, BE është duke i kufizuar ata, prandaj në mungesë të lirisë për të lëvizur kah perëndimi, sipas tij, i vetmi korridor që u ka mbetur kosovarëve janë vendet e Lindjes.
Duke folur për emigrimin ilegal të kosovarëve, Hyseni e drejtoi gishtin te marrëveshja e vitit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilën nga pala kosovare e nënshkroi kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi, tash koleg i Hysenit në qeverinë e Kosovës si Zëvendës Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme..
Sipas tij, kjo marrëveshje i ka kontribuuar emigrimit meqë po ua mundëson kosovarëve ta kalojnë kufirin me Serbinë vetëm me letërnjoftim.
Ai tha ta ketë vizituar një kamp qëndrimi në Hungari për të cilin tha se i ngjan një kazerme ushtarake në të cilin “kushtet nuk janë të mira, por megjithatë janë të përballueshme”.
Ai bëri të ditur se shumë shpejt do të organizohet një takim i drejtorëve të policisë së Kosovës, Serbisë, Gjermanisë, Hungarisë në mënyrë që të koordinohen për parandalimin e emigrimit të parregullt.
“Pjesa më e madhe e atyre që kanë dalë në mënyrë të parregullt, për të mos thënë qind për qind, do të kthehen në Kosovë”, tha ministri Hyseni.