Sindikata: 70% e Kompanive nuk Paguajnë Kontributet e Punonjësve

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës mbajti një konferencë për media ku theksoi gjendjen e rëndë në të cilën ndodhen punonjësit e sektorit privat, por edhe përmendi anë pozitive për kompani që kanë plotësua kushte ligjore dhe marrëveshjen kolektive.

Kryetari i sindikatës, Jusuf Azemi, njoftoi se janë aktivizuar shoqata sindikale në nivel vendi.

“Gjatë kësaj periudhe dymujore kemi bërë aktivizimin e shumë shoqatave në nivel të Kosovës, ku tani e tutje i kemi Shoqata Sindikale në Gjilan, në Kamenicë, shoqata të reja në Prishtinë, shoqata të reja në Pejë, në Prizren, në Gjakovë, e disa vende të tjera”, tha ai.

Kritika u shprehën ndaj Ministrisë së Punës, sipas të cilave, ky institucion nuk ka bërë asgjë për rritjen e pagave për punëtorët e sektorit privat për kompanitë që financohen nga kjo ministri.

Shqetësim tjetër Azemi përmendi mospagesën për kontribute për paga të punëtorëve nga kompanitë.

“Një çështje që është jashtëzakonisht për shqetësim përpos pagave që edhe sot marrin 120 euro, përpos kontratave të punës këtyre punëtorëve edhe pas dhjetë viteve u lëshohen kontrata pune tre muaj e gjashtë muaj, një çështje shumë shqetësuese është që kompanitë private pothuajse gati 70 për qind edhe ato që financohen nga shteti dhe institucionet e ndryshme mbase 70 për qind pronarët e këtyre kompanive nuk paguajnë kontribute për pagat e punëtorëve”, tha ai.

Azemi kritikoi edhe e Inspektoratit e Punës për punën e kryer, duke përmendur rastet e shumta të lëndimeve, por dhe të vdekjeve në punë.

“Inspektoriati i punës nuk është duke e kryer punën e vet, me vetë faktin se kemi 5 vdekje të menjëhershme në vendin e punës, dhe mbi 7 raste të tjera kanë vdekur pas një periudhe të shkurtër dhe sipas të dhënave që kemi ne përmbi 470 raste lëndime në punë”, vërejti Azemi.

Megjithatë, ai nuk tha se për cilën periudhë ishin regjistruar këto raste.