Sindikalistët Kërkojnë Pagë Neto Minimale Prej 300 Eurosh

Punëtorët e sektorit privat kryesisht punëtorët e kompanive që merren me mirëmbajtjen dhe pastrimin e institucioneve publike i shpalosën hallet dhe votuan për kërkesat e tyre në konferencën e organizuar nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat.

Jusuf Azemi, kryetar i sindikatës, kërkoi nga institucionet relevante që në specifikimin e dosjeve të tenderit të caktohet paga neto minimale e punëtorëve në vlerë prej 300 euro.

“Më 19 dhjetor do të jetë faza përmbyllëse e aplikimit të më shumë se 15 tenderëve ku do të mirëmbahen institucionet qendrore dhe ato shkollore ku do të përfshihen edhe kontratat që kanë kohëzgjatje edhe një vit e gjysmë dhe ne kemi ardhur këtu së bashku me punëtorët t’ua bëjmë me dije institucioneve relevante se në dosjet e tenderëve të kompanive të kërkohet që decidivisht paga e punëtorëve të jetë minimale neto për çdo punëtorë 300 euro”, tha Azemi

Azemi, po ashtu, theksoi se kompanitë private janë kamufluar duke thënë se organet e prokurimit nuk kishin lejuar pagë 300 euro.

“Ne jemi konsultuar me autoritet e prokurimit publik, të cilat kanë thënë se asnjëherë prokurimi as ndonjë institucioni nuk ja ndalon punëtorit të ketë pagë 300 euro apo pagë më të madhe, pra është çështje e cila është kamufluar një kohë të gjatë nga kompanitë gjëja se prokurimi publik nuk na lejon”, tha Azemi.

Ai përmendi ankesat e punëtorëve të cilat çdo ditë adresohen te sindikata se përveç pagave të vogla që punëtorët marrin duke filluar nga 120 euro e deri te 150 euro, shumica e kompanive ka disa vite që nuk i paguajnë kontributet e tyre.

Me këtë rast, sindikata u bëri thirrje kompanive që deri në datën 16 dhjetor, t’u paguajnë punëtorëve të gjitha kontributet. Sipas Azemit, nëse diçka e tillë nuk do të ndodhë, ai do ta dorëzojë listën në Administratën Tatimore.

Sipas inspektimit të sindikatës te kompanitë private, janë gjetur kompani të cilat që 8 vite nuk i kanë paguar asnjë cent kontribut punëtorit.

Azemi vuri në dukje dallimin e madh në të ardhura dhe shpenzime mes punëtorëve dhe pushtetarëve.

“Padrejtësitë e qeveritarëve po e hajnë djersën e fëmijëve tanë, po e hajnë djersën tonë sepse ne po e rrezikojmë edhe shëndetin tonë duke i mirëmbajtur e pastruar institucionet shtetërore dikush me 120 e dikush me 150 euro,e në anën tjetër posa këmba e tyre të shkel në parlament për një nënshkrim i marrin 150 euro derisa parfumi i tyre kushton sa dy rroga tona”, tha Azemi.

Hysni Gashi, pjesëtar i sindikatës së punëtorëve të sektorit privat shpreson që kërkesat e tyre të merren parasysh në parlament.

“Shpresojmë që kërkesat tona të merren parasysh kësaj radhe,ne punëtorët sikur nuk jemi pjesë e këtij shteti,qeveritarët le ta dijnë pak le ti qelin sytë le të na shohin ku jemi se e di që gazi lotsjellës ua ka qorruar sytë,e dimë që kanë punë me u gjujt me shishe por le të na shohin pak edhe neve”, tha Gashi.

Sindikata e sektorit privat së bashku me punëtorët paralajmëruan protesta në rast se kërkesat e tyre nuk përmbushen deri me datën 19 dhjetorë para hapjes së tenderëve për ngritjen e pagës deri në 300 euro,dhe nëse deri me 16 dhjetorë nuk paguhen të gjitha kontributet e punëtorëve nga kompanitë private.