Si vdiq në burg personi që ishte në qeli me Astrit Deharin?

Vetëm disa muaj pas vdekjes së ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, debati për të njëjtën çështje u rindez përsëri.

Deri sa po hetoheshin shkaqet e vdekjes së Astrit Deharit, një tjetër vdekje kishte ndodhur pikërisht në një qeli të burgut të Lipjanit.

Shërbimi Korrektues i Kosovës kishte njoftuar se kishte vdekur një tjetër i paraburgosur, emri i të cilit u bë i ditur më pas nga LVV. Fjala ishte për Naser Makollin.

Ky i fundit ishte transferuar nga Qendra e Paraburgimit në Prizren në atë të Lipjanit pasi që u raportua se i njëjti kishte qenë dëshmitari i parë që kishte gjetur të vdekur Astrit Deharin në qelinë e tij.

Vdekja e të Paraburgosurit Rindez Debatin për Vdekjen e Astrit Deharit

Dëshmitari kyç në rastin e vdekjes së Astrit Deharit vdiq vetëm gjashtë muaj më vonë, e Shërbimi Korrektues kishte thënë se i njëjti kishte pasur probleme shëndetësore.

Në një intervistë ekskluzive për KALLXO.com kishte folur edhe vëllai i Naser Makollit, Hysen Makolli, i cili kishte ngritur dyshimet e tij për arsyen e vdekjes së vëllait, duke thënë se edhe pse ishte ankuar nga lukthi vëllai i tij nuk kishte mundësi të vdiste nga ai problem shëndetësor.

“Probleme shëndetësore ka pasur ankesë vetëm prej lukthi. Në jetën e tij asnjëherë nuk ka qenë i sëmurë. Këtu diçka është, çka u ba, ne s’e dimë. Për 1 muaj 115 kilogramë i ka pasë tash me këqyr as 50 kilogram nuk i ka”, kishte thënë Makolli.

Madje ai pati përmendur edhe një rast ku vëllai i tij ishte dërguar në spital për mjekim por që ishte kthyer më pas në burg.

“Jemi takuar me të para dy jave, do infuzione ia kanë dhanë, ka lyp me çu në spital në Prishtinë për një mjekim ma të fortë. Qe një muaj e gjysmë është më atë ankesë. E kanë pru në Prishtinë edhe e kanë kthy menjëherë edhe ata të burgut të Lipjanit kanë thanë që je për me u shtri në spital sepse vijke njeri tu ra poshtë e ma poshtë”, rrëfen vëllai i Naser Makollit.

Ai kishte kërkuar nga sistemi i drejtësisë që të hetohet ky rast.

“Unë kisha dashtë me i hi kësaj punë pak ma thellë me këqyr çka është problemi dhe me këqyr si vdiq ai aq shpejt”, kishte thënë në intervistën për KALLXO.com, Hysen Makolli.

Ekskluzive: Flet Vëllai i Naser Makollit

Një ditë pas vdekjes së Naser Makollit, Prokuroria kishte njoftuar se kishte filluar hetimin për vdekjen e tij.

I gjithë rasti në fillim ishte cilësuar si vdekje e dyshimtë.

“Pas sigurimit të raportit të ekspertizës së obduksionit – lidhur me shkaktarin e vdekjes dhe pas analizimit të gjetjeve tjera, të deklaratave të të gjithë dëshmitarëve, pas ekzaminimit të provave materiale që janë siguruar nga vendi i ngjarjes, incizimeve dhe mostrave të ushqimit që janë marrë në vendin e ngjarjes, do të nxirret përfundimi lidhur me shkaktarin e vdekjes së Naser Makollit”, ishte thënë në një komunikatë të Prokurorisë së Shtetit.

Prokuroria Nisi Menjëherë Hetimet në Rastin e Naser Makollit

Gjithashtu KALLXO.com kishte raportuar edhe se Naser Makolli po mbahej në paraburgim për veprën penale ndihmë në vrasje të rëndë.

Naser Makolli Akuzohej për Ndihmë në Vrasje të Rëndë

Pas vdekjes së Naser Makollit, Inspektorati i Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK) kishte kryer edhe një inspektim në Qendrën Korrektuese të Lipjanit.

I kontaktuar nga KALLXO.com, drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, atë kohë Sokol Zogaj, kishte thënë se raporti kishte dalë pozitiv dhe se nuk ishte konstatuar asnjë shkelje ligjore.

Që nga vdekja e Naser Makollit, analizat e autopsisë së tij nuk u lexuan kurrë, ani pse ai ishte dërguar për obduksion.

Në një nga edicionet e emisionit “Jeta në Kosovë” i cili ishte bërë vetëm për çështjet e vdekjeve në burgjet e Kosovës, drejtori i Burgut të Lipjanit, Arif Beqa kishte thënë se Naser Makollit nuk i ishin lexuar analizat e autopsisë për shkak se i njëjti nuk kishte arritur që të kryente një analizë para se të vdiste.

“Më 23 mars e kanë dërguar në spital, në gastrologji. Gastrologu ka kërkuar disa analiza të veçanta por nuk e kanë ndalë atje, për disa çështjet e tyre, e kanë kthyer me kusht që t’i bëjë analizat. Analizat i kemi dërguar tri ditë me radhë. Mirëpo të premten ndodhi kjo punë dhe ato analiza nuk janë lexu edhe kanë mbet në gjysmë. Analizat i kanë dërguar në spital, të fundit analizë e ka ba të premten në momentin kur edhe aj ka vdek. Kanë mbetur rezultatet pa i dërguar me i lexu”, shtoi drejtori Beqa.

Gjatë ditës së sotme, KALLXO.com ka raportuar se ekspertiza nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës i është dërguar i përkthyer në gjuhën shqipe familjes së Astrit Deharit.

Lëvizja Vetëvendosje dhe familja e Deharit po e quajnë vrasje rastin e Astrit Deharit.

Në anën tjetër, Prokuroria e Prizrenit ka thënë se nevojitet një hetim i ri për të qartësuar rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Në ditën kur i dorëzoi raportin e ekspertizës familjarëve të ish-aktivistit të Vetëvendosjes, i cili u gjet i vdekur në dhomën e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, Prokuroria tha se duhet të kihet parasysh edhe ndërhyrja e një personi të tretë në ‘procesin fatal’.

Rasti Dehari: Analiza e Zvicrës nuk përjashton vrasjen