Si u Gjet Mustafa Nën Sulmet e Opozitës

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, tha se pret që së shpejti Kuvendi ta vazhdojë seancën e ndërprerë pas sulmit të deputetëve opozitarë ndaj kryeministrit Isa Mustafa.

“Së shpejti pritet të mbahet takimi i kryesisë së Kuvendit me shefat e grupeve parlamentare”, tha Grabovci.

Momentalisht në Kuvend nuk ka deputetë, ndërsa është bërë pastrimi i sallës së Kuvendit nga vezët e thyera të shpërndara afër foltores.

Nga ana tjetër, Donika Kadaj- Bujupi, shefe e Grupit Parlamentar të AAK-së, tha se reagimi opozitar do të vazhdojë.

“Veprimi i sotëm është vetëm një fillim i koordinimit të opozitës kundër marrëveshjeve. Gjuajtja me vezë është bërë në koordinim të tri partive opozitare dhe ka qenë një aksion simbolik kundër marrëveshjeve të nënshkruara”, tha Kadaj- Bujupi.

11:46

Kryeministri Isa Mustafa e ka nisur raportimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës rreth marrëveshjeve të fundit të arritura në Bruksel, por nuk e përfundoi atë.

Derisa Mustafa ishte duke folur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës lidhur me marrëveshjet e nënshkruara më 25 gusht, e që u pa duke gjuajtur me një letër në drejtim të tij ishte deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

Kjo ndodhi gjatë kohës kur Mustafa tha: “Këto marrëveshje janë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës..”. Deputetët e Vetëvendosjes në atë moment e pyetën: “Cilës Kushtetutë, atë të Serbisë”, dhe pas kësaj deputetët e VV nisën të gjuanin ve në drejtim të kryeministrit Mustafa.

Pas incidentit në sallë, më së ashpri ka reaguar deputeti i LDK-së, Naser Osmani, i cili i revoltuar i është drejtuar deputetes së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

Sigurimi i Kuvendit hyri në sallë, por kryetari Kadri Veseli u bëri thirrje të dalin jashtë dhe seanca u ndërpre për 10 minuta.