Si e Arsyeton Prokuroria Kërkesën për Paraburgim të Samet Imishtit?

Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar masën e paraburgimit në afat prej një muaji të dyshuarit për vepra që lidhen me terrorizmin, Samet Imishtit, i arrestuar dje në Han të Elezit.

“Për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale nga neni 3 paragrafi 4 të Ligjit për Ndalimin e Bashkimit në Konflikte të Armatosura jashtë Territorit të Vendit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj

Imishti ishte arrestuar nga policia e Kosovës në orët e hershme të mëngjesit të ditës së djeshme.

Prokuroria Speciale e Kosovës pretendon se i pandehuri Samet Imishti në mënyrë publike me anë të shkrimeve, xhirimeve nëpër rrjetet sociale, ka thirrur ose nxitur të tjerët për kryerjen e veprave penale.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari që nga viti 2013 e në vazhdimësi në përmes profilit të tij personal me emrin Samet Imishti, ka bërë komente dhe publikime të hapura propagandë, nxitje urrejtje dhe përkrah hapur ideologjinë ekstreme të organizatës terroriste ISIS.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, në shtator të këtij viti, Drejtoria Kundër Terrorizmit ka pranuar një informatë nga Prokuroria e qytetit të Breshias të Italisë, sipas së cilës rezulton se i dyshuari Imishti është hetuar nga autoritetet italiane për veprat penale të terrorizmit.

Sipas prokurorisë, në profilin e të dyshuarit mund të shihen fotografi me armë të rënda, ai po ashtu ka komentuar në një artikull shtypi me këtë përmbajtje “Hej vëlla Lavdrim inshalla takohemi së shpejti Allahu të ruajt”.

Sipas prokurorisë, Samet Imishti dyshohet se me këto veprime ka kryer veprën penale  nga neni 3 paragrafi 4 të ligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit i cili sanksion: “Kushdo që në mënyrë publike, në tubim ose me anë të shkrimeve, xhirimeve audiovizuele, duke përfshirë dhe mos u kufizuar edhe në rrjetet sociale ose në çfarëdo forme tjetër të komunikimit, thërret ose nxit të tjerët për kryerjen e veprave penale të përcaktuara në paragrafët 1, 2 dhe 3 të këtij neni, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vite”.

Për KALLXO.com, Nikë Shala mbrojtës i Samet Imishtit tha se klienti i tij është mbrojtur në heshtje dhe nuk është deklaruar me arsyetimin se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.

“Prokurori Special i Republikës së Kosovës i ka parashtruar kërkesë Gjykatës Themelorë Departamentit për Krime të Rënda në Ferizaj për caktimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj për klientin tim, klienti im nuk ka pranuar që të deklarohet me arsyetimin se është në gjendje jo të mirë shëndetësore ka pengesa të natyrës psikike dhe për këtë posedon dokumentacion mjekësor, dhe mohon veprën penale për terrorizëm dhe sa i përket një pushke që ku ka konfiskuar posedon leje të cilës i ka skaduar afati”, tha Shala.