Shukri Buja Nervozohet në Gjykatësen dhe Prokuroren

Seanca gjyqësore ndaj ish kryetarit të komunës së Lipjanit, Shukri Buja, është shtyrë për shkak të mungesës së prokurores së rastit.

Shukri Buja është i akuzuar nga Prokuroria për mos raportim ose raportim te rremë të pasurisë, të të ardhurave, dhuratave dhe dobisë tjetër materiale ose të detyrimeve.

Prokuroria ka ngritur aktakuzë me 4 dhjetor 2014, ndaj tij duke e akuzuar se në cilësinë e kryetarit të komunës, nuk e ka raportuar pasurinë brenda afatit ligjor, pasi e ka përfunduar mandatin e tij në këtë post, edhe pse ka qenë i obliguar ta bëjë këtë.

Buja ka humbur zgjedhjet për kryetar të komunës së Lipjanit në vitin 2013 nga kryetari aktual Imri Ahmeti.

Avokati Bahtir Troshupa mbrojtës i Shukri Bujës, kërkoi që të njoftohet edhe Kryeprokurori i Shtetit për këtë shtyrje duke e cilësuar këtë si “paaftësi organizative të personave kompetentë”.

Gjyqtarja mori vendim që seanca të shtyhet për 28 dhjetor të këtij viti.

Pas seancës gjyqësore avokati Troshupa tha për KALLXO.com se seanca është shtyrë disa herë për arsye të ndryshme.

“Në këtë gjykatë ndodhin shtyrje të seancave të paarsyeshme dhe kjo seance është shtyrë disa herë për arsye se një herë është shtyrë për pa organizim, një herë në mungesë të përkthyesit, ndërsa sot është shtyrë seanca sepse prokurorja e rastit është në një udhëtim zyrtar”, tha Troshupa.

Edhe Shukri Buja, tha se është duke u maltretuar me shtyrjet që po i bëhen seancës ku i akuzuar është ai.

“Po vazhdon maratona e këtij gjykimi. Ka qe një vit e gjysmë që maltretohem me thirrje, vijmë në gjykatë dhe shtyhet për arsye se gjykatësja fëmijët i ka në foshnjore ose për arsye që nuk është përkthyesja këtu ose për arsye të tjera”, tha Buja.

Buja në deklaratën për KALLXO.com tregon se pasurinë e tij e kishte deklaruar disa herë.

“Unë kam deklaruar pasurinë edhe kur kam kandiduar për kryetar edhe kur kam kandiduar për deputet. Kam komunikuar me Agjencinë (Kundër Korrupsionit) edhe më 12 dhjetor, ditën kur kam lëshuar kuvendin komunal apo zyrën e kryetarit të komunës. Janë shumë arsye të cilat tregojnë se nuk kam pasur asnjë arsye ta fsheh pasurinë”, tha Buja.