Shteti Nuk Lëviz Drejt Hapjes

Është prezantuar të hënën në kryeqytet raporti i Rrjetit Ballkanin të Gazetarisë Hulumtuese në Kosovë (BIRN) për qasjen në dokumente publike.

Në bazë të këtij raporti, institucionet publike janë vetëm 40 për qind të qasshëm për publikun.

“Nga 125 kërkesa sa ne kemi dorëzuar në Institucionet publike, 68 prej tyre na janë refuzuar”, tha Gresa Musliu nga BIRN.

Sipas Musliut, vetëm 50 prej tyre janë aprovuar, ndërsa 7 janë refuzuar pjesërisht.

Raporti i titulluar “Shteti Nuk Lëviz Drejt Hapjes” ka nxjerrë në pah se më së vështiri ka qenë për të pasur qasje në dokumentet e Zyrës së Kryeministrit dhe ministritë, agjencitë e pavarura, institucionet gjyqësore…

Nga këto institucione janë kërkuar dokumente që tregojnë se si shpenzohet paraja publike, kërkesat e të dënuarve për falje në Presidencë si dhe procesverbale të takimeve të zyrtarëve publikë.

Në këtë prezantim ishin të pranishëm përfaqësues të Presidencës, Kryeministrisë, Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, dhe komunave.

Arianit Bytyqi, nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, tha se ata si Kryeministri mundohen që të jenë sa më të qasshëm për publikun dhe mediat, por që edhe aty ka vend për përmirësim.

“Në zyrën time vetëm një zyrtar është që merret me qasje në dokumente zyrtare, i cili kujdeset që çdo kërkesë të adresohet sa më parë, dhe në këtë mënyrë të kthehet sa më shpejt përgjigja”, tha Bytyçi.

Raporti i BIRN-it në lidhje me qasjen në dokumente publike është i përvitshëm.