Shqyrtohet në Gjykatën e Apelit Ankesa e Bajrush Xhemajlit

Bajrush Xhemajli, ish kryetar i Ferizajt ka dalë sot para Gjykatës së Apelit të Kosovës ku po shqyrtohet ankesa e tij ndaj vendimit të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, e cila më 26 nëntor 2010 e kishte shpallur atë fajtor për shkaktim të aksidentit, duke u dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim.

Në fillim të seancës u bë një përmbledhje kronologjike se si është zhvilluar procedura penale deri  tasht nga gjyqtarja raportuese.

Pastaj kur iu dha fjala, prokurorja e Apelit propozoi që të aprovohet ankesa e prokurorisë themelore dhe ankesa e të dëmtuarit Ilir Azemi dhe të hedhet poshtë ankesa mbrojtësit të të akuzuarit.

Kryetarja e kolegjit fjalën ia dha edhe babait të viktimës Hamdi Rrustemit i cili qëndroi pranë ankesës që  të jepet një dënim prej 20 vjetësh .

Fjala iu dha edhe Ilir Azemit i cili gjithashtu mbështeti ankesën.

Më pas foli edhe Tahir Rrecaj, mbrojtësi i Bajrush Xhemajlit që kërkoi dënim më të butë ndaj shkaktuesit të aksidentit të para katër vjetëve.

Edhe Bajrush Xhemajli përkrahu fjalën e avokatit të tij, shprehu keqardhje dhe u kërkoi falje të dëmtuarve

pastaj kryetarja e Kolegjit të Apelit e përmbylli seancën duke thënë se vendimin do ta marrin së shpejti.

Mbrojtësi i Xhemajlit foli edhe pas seancës për gazetarë. Tha se pret që ankesa e tij të aprovohet.

“Unë pres që ankesa e mbrojtjes të aprovohet dhe të ndryshohet aktgjykimi i shkallës së parë, të zvogëlohet dënimi nëse shqiptohet dënim me kusht dhe ai dënim të kushtëzohet”, shtoi Rrecaj.

Pasi ishte shpallur fajtor për akuzën para katër vjetësh, Xhemajli kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Komunës së Ferizajt.

Ai akuzohej për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, pasi më 21 maj të vitit 2009 kishte shkaktuar një aksident me pasojë vdekjen e të riut Labinot Rrustemi.

Xhemajli ende nuk e ka vuajtur dënimin, pasi është ankuar në Gjykatën e Apelit për masën e dënimit të shqiptuar nga gjykata.

Avokati Rrecaj tha se klienti i tij do ta pranojë çfarëdo vendimi të Apelit dhe do të shkojë në vuajtje të dënimit nëse dënohet me burg.

Palët do të njoftohen me shkrim për vendimin.