Shpërthejnë Trazirat Kundër Dënimit të Shqiptarëve të Gjykuar për Terrorizëm

Mijëra protestues u përleshën me policinë në Shkup në një protestë  kundër dënimit me burgim të përjetshëm për  shqiptarët e akuzuar si  terroristë islamikë   për vrasjen  “e pesë  maqedonasve”.

Disa mijëra të rinj shqiptarë etnikë  të zemëruar nga dënimi i të akuzuarve për terrorizëm u përleshën me forcat speciale të policisë, e cila përdori gaz lotsjellës, topa  të  ujit, granata tymuese, në një përpjekje për të shuar trazirat në kryeqytetin maqedonas të premten.

Protestuesit mbanin parulla me mbishkrimin: “Ne nuk jemi terroristë” dhe “Duam drejtësi” si dhe kënduan slogane duke akuzuar ministren e Policisë Gordana Jankulloska si terroriste e vërtetë.

Demonstruesit hodhën gurë jashtë objektit të gjykatës, por policia rrethoi rrugët dhe ndali ata  të arrijnë  në ndërtesën qeveritare dhe i detyruan ata të kthehen në komunën shqiptare të Çairit, ku  vazhduan  përplasjet në orët e pasdites.

BIRN-i ishte dëshmitarë në tre arrestime, ndërsa gjaku nga plagët mund të shihet në rrugët kryesore në qendrën  e qytetit të Çairit. Ka pasur edhe raporte të pakonfirmuara për të shtëna armësh.

Qytetarëve  u është bërë thirrje nëpërmjet rrjeteve sociale dhe fletushkave anonime që kanë ftuar për t’u mbledhur para xhamisë së Jahja Pashës në komunën Çair të Shkupit të dominuar nga shqiptarët, pas lutjeve të mesditës dhe për t’u nisur  në drejtim të qendrës së qytetit për të protestuar “kundër rasteve gjyqësore të motivuara politikisht”.

Në një rast që ngriti tensionet etnike në vend, Gjykata  e Shkupit të hënën dënoi  me burgim të përjetshëm gjashtë të dyshuarit shqiptarë  për radikalizëm, për vrasjen e pesë maqedonasve etnikë në festën e Pashkëve Ortodokse në vitin 2012.

Gjykata iu  dha dënimin më të  gjatë të  paraparë për vepra të terrorizmit Alil Demirt, Afrim Ismailoviqit, Agim Ismailoviqit, Fejzi Azirit, Haki Azirit dhe Sami Ljutajt që u  shpallën fajtorë.

Ndërkohë, prokuroria e shtetit tha se do të apelojë kundër lirimit të të pandehurit të shtatë, Sejdi Rama, i cili u la i lirë në mungesë të provave.

Rama, i cili ishte liruar pasi kishte kaluar më shumë se dy vjet në paraburgim, tha se ende është i tronditur.

“Unë ende ndjehen sikur jam në burg”, tha ai pas lirimit të tij të mërkurën.

“Akuzat kundër meje kanë qenë shumë serioze. Kam arritur të provoj pafajësinë time pas 26 muajsh, por ka shumë njerëz të pafajshëm ende në burg dhe unë shpresoj se një ditë edhe ata do të jenë në gjendje të bëjnë të njëjtën gjë”, tha ai.

Ndërkohë ka pasur heshtje për protestën e planifikuar nga politikanët e lartë.

Një burim nga ana e partisë në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), partisë më të madhe etnike shqiptare në vend, i tha BIRN-it me kusht anonimiteti se “zhgënjimi në mesin e shqiptarëve [rreth verdiktit] është i  madh dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm në mënyrë që gjërat të mos dalin jashtë kontrollit”.

Qendra për Liri Civile, një OJQ nga Shkupi, bëri thirrje për përmbajtje nga të dy anët, protestuesve dhe policisë.

“Bëjmë  thirrje për qetësi, mirëkuptim dhe respekt për të drejtën e protestës”, tha Xhabir Deralla, udhëheqës i OJQ-së.

Kufomat e Filip Slavkovskit, Aleksandar Nakjevskit, Cvetanco Acevskit dhe Kire Trickovskit, të gjithë të moshës mes 18 dhe 20, u zbuluan më 12 prill 2012. Trupat e tyre ishin rreshtuar dhe dukej se janë ekzekutuar.

Trupi i 45 vjeçarit Borce Stevkovski u gjet në distancë më të largët nga të tjerët.

Lajmi i vrasjes pati  ngritur tensionet etnike, pasi grupet e maqedonasve etnikë organizuan protesta, disa prej të cilave u bënë të dhunshme, duke fajësuar për vrasjet pjesëtarët e komunitetit më të madh pakicë në vend.

Protesta e së premtes vjen në një kohë kur ende është e freskët dhuna dyditore e vitit të kaluar, kur protestat me motive etnike mbërthyen  kryeqytetin maqedonas pas emërimit të  diskutueshëm të një ish-luftëtari shqiptar Talat Xhaferit, si ministër i Mbrojtjes.

Në vitin 2001, Maqedonia kaloi nëpër një konflikt të armatosur midis shqiptarëve etnikë dhe forcave të sigurisë maqedonase. Konflikti përfundoi të njëjtin vit me nënshkrimin e një marrëveshjeje paqeje që u shtoi të drejtat shqiptarëve.

Shqiptarët përbëjnë një të katërtën e popullsisë prej  2.1 milionë banorë sa ka vendi.