Shpend Ahmetit i Dështon Votimi për Lagjen ‘Kalabria’

Votat e këshilltarëve të LDK-së dhe PDK-së u bënë bashkë sot në asamblenë komunale të Prishtinës për ta refuzuar diskutimin për një plan rregullues të një lagjeje në Prishtinë.

22 këshilltarë komunalë kanë votuar kundër, ndërsa 20 në favor të propozim-vendimit për lënie në dispozicion të diskutimit publik të planit rregullues për lagjen “Kalabria”. Një këshilltar komunal abstenoi në votim.

Vazhdon Asambleja Komunale e Prishtinës

11:43

Mbledhja e Asamblesë Komunale të Prishtinës është duke vazhduar pas një pauze 30 minutëshe që u shkaktua si pasojë e bllokadës.

Lirak Çelaj i PDK-së tha se grupi i këshilltarëve të PDK-së nuk dëshiron të qëndrojë në sallë gjatë diskutimeve, ndërsa tha se do të jenë prezentë për votim.

Sipas tij, gjatë diskutimit nuk ka nevojë që të ketë kuorum.

Bllokohet Asambleja e Prishtinës, LDK e PDK Bashkë Kundër Liburn Aliut

10:53

Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk ka pas kuorum për të vazhduar me pikat e rendit të ditës.

Shefi i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, Lirak Çelaj, ka thënë se grupi i PDK-së me mbështetjen e grupit të LDK-së qëndrojnë pranë kërkesës për shkarkimin e Drejtorit të Urbanizmit, Liburn Aliu.

“Si PDK çkado që vjen nga kjo drejtori nuk e votojmë”, tha Çelaj.

Ai ka bërë thirrje që së paku të ketë komunikim mes grupeve parlamentare edhe pse ka mospajtime te mendimeve.

“Me sulmin që i është bërë Muhamet Selmanit është cenu fjala e lirë e asamblistit, është cenu vota e lirë e qytetarit”, tha Çelaj.

Edhe Sami Hamiti e tha qëndrimin e njëjtë si PDK.

“Kërkesa jonë është e njëjtë. Asnjë pikë që vjen nga kjo drejtori nuk e votojmë”, tha Hamiti.

Më pas asamblistët e dy grupeve e lëshuan sallën kur erdhi pika e diskutimit për  propozim vendimin për lënie në dispozicion për dëgjim publik të planit rregullues të lagjes “Kalabria”.

Ylli Hoxha asamblist i Vetëvendosjes tha se kërkesa e PDK dhe LDK është kërkesë politike.

“Por, është e pa pranueshme për ne si Vetëvendosje dhe e pa pranueshme për qytetarët”, u shpreh Hoxha.

Kryetari i Kuvendit Komunal Halim Halimi dha kohë 30 minuta për tu marr vesh grupet e këshilltarëve që më pas të kthehen ose jo në sallë.