Shpend Ahmeti Kërkon Zgjedhje për Asamblenë Komunale të Prishtinës

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë thirrje që të shpallen zgjedhjet për asamblenë komunale të kryeqytetit.

Këtë thirrja, Ahmeti e ka bërë pasi që buxheti i Prishtinës për këtë vit ka mbetur i pamiratuar.

Ai thotë se komuna mund të vazhdojë me buxhet të pamiratuar vetëm deri më 1 mars.

“Në shtator të vitit 2014 Kuvendi Komunal i Prishtinës aprovoi buxhetin e vitit 2015 prej 69 milionë euro. Qeveria nuk e pranoi atë buxhet si ajo e kaluara ashtu edhe kjo e reja. Prandaj, komuna e Prishtinës sot nuk ka buxhet të aprovuar, dhe punon me buxhet të imponuar nga Ministria e Financave”, tha sot Ahmeti në një postim në Facebook.

“Kjo situatë mund të vazhdojë vetëm deri me 1 mars, e pastaj nuk ka më shpenzime. Me ligj Kuvendi Komunal shpallet jofunksional dhe shkon në zgjedhje”, u shpreh ai.

Ahmeti tha se bën thirrje për zgjedhje për asamblenë komunale meqenëse, sipas tij, ka pasur kërkesa nga koalicioni LDK – PDK që po synojnë bllokimin e Prishtinës.

“Është vlerë demokratike që të matet legjitimiteti i të gjithëve në Prishtinë. Të kuptohet se a janë Prishtinalitë për koalicionin bllokues LDK – PDK apo për vazhdimin e çlirimit nga korrupcioni. A janë për Sami Hamitët apo për largimin e tyre nga komuna. Në të kundërtën Sami Hamitët po i mashtrojnë qytetarët me legjitimitet të rrejshëm”, tha ai.

Sa për Vetëvendosjen, Ahmeti tha se kjo parti është gati të shkojë në zgjedhje.