Shkolla e Kryer Përgjysmë Pret Investimin e Komunës

Banorët e fshatit Glaviçicë të Pejës kanë investuar vetë në tri klasë të shkollës së tyre, ndërsa për tri të tjerat presin investim nga komuna.

Gjysma e nxënësve të shkollës fillore “ Zef Serembe“ në Gllaviçicë vijojnë mësimin në kushte më të vështira se gjysma e nxënësve tjerë të kësaj shkolle.

Në gjashtë klasat e shkollës ku mbahet procesi mësimor, tri prej tyre janë me kushte me të mira për mbarëvajtje të mësimit, ndërsa tri tjerat pa kushte elementare.

Një investim rreth 500 euro i banorëve të fshatit mundësoi këtë dallim në kushte të mësimit, ndërsa për pjesën tjetër të shkollës banorët e Gllaviçicës presin ndihmën e komunës.

“Shqetësimi jonë si fshatarë, si prindër, jemi munduar të bëjmë diçka në tri klasë, ato çka kanë mbetur po shpresojmë që do të na ndihmojë Komuna,“ tha Biter Prekaj, njëri nga banorët.

Në pjesën e parinovuar të shkollës, në gjendje të keqe janë sidomos dyshemetë.

Një investimi i vogël do  kishte bërë që të mbahet mësim cilësor edhe në tri klasat tjera, thotë Biter Prekaj për KALLXO.com.

Kryetari i fshatit Gllaviçicë, Ramë Nimani, thotë se asnjëherë pushtet lokale nuk investuan në këtë shkollë pas luftës.

“Absolutisht deri me sot në ketë shkollë, prej pasluftës, që 15 vjet të paktën nuk është investuar as gjysmë centi, me gjithë kërkesat që i kemi pasur të vazhdueshme. Nuk është investuar asgjë,“ tha Nimani.

Mungesën e investimeve në Shkollën “Zef Serembe” e pranon edhe drejtori i Arsimit në Pejë Besim Avdimetaj.

Ai thotë se rasti i kësaj shkolle është i veçantë.

“Është pak specifike rasti i asaj shkolle, është një numër me i vogël i nxënësve. Sipas politikave që i ka zhvilluar Komuna dhe Kryetari i Komunës, presim që ta ndërtojmë shkollën e re, do të thotë paralelen e ndarë në fshatin Leshan dhe pastaj do të shohim se si do të rregullohet problemi i atyre nxënësve,” tha Avdimetaj.

Ai bëri të ditur se me organet komunale do të diskutohet nëse do të ketë nxënës në këtë shkollë, ose jo.

“[Do të diskutohet] transporti, apo të mbesin nxënësit në Gllaviçicë prej klasës parë deri në të pestën. Do ta diskutojmë edhe me bashkësinë territoriale  edhe me komunitetin edhe me komunën në përgjithësi. Do krijojmë situata të kënaqshme dhe të volitshme për fëmijët dhe qytetarët e asaj ane,“ tha drejtori Avdimetaj për KALLXO.com.

Kryetari i Gllaviçicës Ramë Nimani thotë se ka dëgjuar fjalë që shkolla do të mbyllet, por këtë nuk do ta lejojnë banorët e këtij fshati.