Shala: Punët për Ndërtimin e Bibliotekës së Prizrenit Janë të Jashtëligjshme

Në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Shala, punimet për ndërtimin e bibliotekës së Prizrenit i quajti të jashtëligjshme.

Kjo bibliotekë nisi të ndërtohej nga Komuna e Prizrenit në afërsi të shkollës së vjetër të kohës së Perandorisë Osmane “Ryzhdije”, pa miratimin e Ministrisë së Kulturës.

Për nisjen e ndërtimit të kësaj biblioteke KALLXO.com-i shkroi në muajin prill.

“Konstatimi ynë është se punimet në fjalë janë të jashtëligjshme. Ministria ka kërkuar që të rishikohet projekti”, tha Shala në mbledhjen e Kuvendit.

Ndërkaq, deputeti nga radhët e lëvizjes “Vetëvendosje”, Mytaher Haskuka tha se pavarësisht fjalëve të ministrit ai ka informata se punimet kanë filluar.

“Ju thatë që janë të jashtëligjshme por prapë është duke u degraduar pjesa e qytetit ku është edhe monumenti domethënë shkolla e Ryzhdijes”, u shpreh Haskuka.

Në debat u përfshi edhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani që tha se ministria që drejton ka reaguar dhe si pasojë leja për ndërtimin e kësaj biblioteke është shfuqizuar nga Komuna e Prizrenit

“Leja është shfuqizuar dhe çfarëdo aktiviteti i mëtutjeshëm ndërtimor është plotësisht në kundërshtim me ligjin”, deklaroi Agani.

KALLXO.com-i shkroi në fund të prillit se leja për ndërtimin e kësaj biblioteke është shfuqizuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit.

Shkolla Ryzhdije është në listën e objekteve të trashëgimisë kulturore të Ministrisë së Kulturës.