Serbia Përballet me Presione të Reja për Vrasjen e Vëllezërve Bytyqi

Kryeministri i Serbisë ka gjasa të vihet përsëri nën presion gjatë vizitës së tij në SHBA këtë javë për të zgjidhur çështjen e vrasjeve të vëllezërve Bytyqi, tre shqiptaro-amerikanë të vrarë në Serbi në vitin 1999.

Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç fillon një vizitë në Shtetet e Bashkuara ditën e martë, por një premtim që ai bëri tri muaj më parë në Uashington për “të vënë drejtësi” në çështjen e tre shqiptaro-amerikanëve të vrarë në korrik të vitit 1999 në Serbi mbetet ende i pa përmbushur dhe deri më tani s’është ngritur asnjë padi.

Praveen Madhiraju, një këshilltar ligjor i familjes Bytyqi, tha për BIRN se “për këtë çështje s’është bërë pothuajse asgjë që prej vizitës së fundit të Vuçiç në Shtetet e Bashkuara në qershor, kur ai tha se do të zgjidheshin vrasjet e Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi”.

“Rreth tre muaj më vonë, të gjitha shenjat tregojnë se kryeministri Vuçiç do të kthehet duarbosh në Uashington përsa i takon çështjes së vëllezërve Bytyqi,” tha Madhiraju.

Megjithatë, pritet që çështja Bytyqi do të jetë përsëri në krye të agjendës gjatë takimit të Vuçiç me Zëvendës Presidentin e Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe sekretarin e shtetit John Kerry.

Vëllezërit Bytyqi iu bashkuan një njësie vullnetare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës në vitin 1999. Pasi lufta mbaroi, ata u arrestuan në Serbi pasi kishin kaluar kufirin dhe më pas u vranë në qendrën e trajnimit në Petrovo Selo. Trupat e tyre u gjetën në vitin 2002 në një varr masiv aty pranë.

Zyrtarët serbë kanë më shumë se një dekadë që i premtojnë qeverisë së Shteteve të Bashkuara se do të gjejnë personat që burgosën dhe vranë tri vëllezërit.

Muajin e kaluar, kryeprokurori i Serbisë për krime lufte Vladimir Vukcevic tha “se janë bërë përparime”, por nuk zbuloi ndonjë informacion më shumë duke u shprehur se kjo do të vinte në rrezik hetimin.

Megjithatë, ai tha se Vuçiç do t’i merrte provat me vete në Shtetet e Bashkuara dhe se “të dyshuarit janë ende në poste të rëndësishme në vend” ose rajonin përreth.

Familja Bytyqi ka akuzuar vazhdimisht shefin e qendrës së trajnimit në Petrovo Selo në atë kohë, Goran Radosavljevic, i njohur si ‘Guri’, si personi kryesor përgjegjës për vrasjet.

Radosavljevic tani është anëtar i bordit ekzekutiv të partisë qeverisëse të Vuçiçit, Partisë Progresive.

Ai i ka mohuar akuzat, duke u shprehur se nuk ka qenë në qendrën e trajnimit në Petrovo Selo në atë kohë dhe se s’ishte në dijeni të vrasjeve.

Serbia ndoqi penalisht dy oficerë policie për ndihmë në vrasje, por ata u liruan nga akuzat në vitin 2011. Pas kësaj, prokuroria serbe këmbënguli se po hetonte ata që urdhëruan dhe kryen krimin.

Gjatë një dekade që kur filluan hetimet, një numër i madh dëshmitarësh janë shprehur se janë kërcënuar që të mos dëshmojnë.