Serbia Heton më Shumë Varreza të Dyshuara Masive të Viktimave nga Kosova

Autoritetet do të hetojnë edhe dy lokacione tjera në afërsi të një varreze masive në qytetin serb të Rashkës, ku mbetjet e 50 shqiptarëve të Kosovës që mendohet se janë vrarë gjatë kohës së luftës janë gjetur.

Kryeprokurori i Serbisë për Krime të Luftës, Vladimir Vukcevic tha të hënën se synimi i kërkimit të ri në afërsi të gurores së Rudnicës në Rashkë është “të përcaktohen informacionet në lidhje me ekzistimin e mundshëm të varrezave të reja masive me mbetje nga njerëzit që kanë vdekur gjatë konflikteve në Kosovë në vitin 1999, për të cilët besohet se janë shqiptar të Kosovës”.

Autoritetet serbe tashmë janë duke hetuar dy lokacione në gurore. Në njërin prej tyre 50 trupa të shqiptarëve të Kosovës janë zhvarrosur, derisa në tjetrin ende nuk është bërë publik rezultati i kërkimit.

Sipas Prenk Gjetaj, Kryesuesi i Komisionit të Qeverisë së Kosovës për Personat e Zhdukur, besohet se trupat e gjetur deri më tani janë të shqiptarëve të Kosovës të cilët janë zhdukur gjatë konfliktit të vitit 1998-99 në Rezallë, një fshat në zonën e Skenderajt .

Megjithatë testet e ADN-së ende duhet pritur për të mbështetur dyshimin.

Procesi i identifikimit të mbetjeve është duke vazhduar, por emrat e viktimave nuk do të bëhen publik derisa të afërmit të informohen.

Së pari kjo zonë është hetuar në vitin 2010, pasi që prokuroria e Serbisë për krime lufte në bashkëpunim me misionin e sundimit të ligjit të BE-së në Kosovë, njoftuan se mund të ketë varr masiv në Rashkë ku gjenden trupat e së paku 250 shqiptarëve, edhe pse asgjë nuk ishte gjetur deri vitin e kaluar.

Ka ende më shumë se 1,700 njerëz që gjenden në listat e personave të zhdukur si pasojë e konfliktit në Kosovë.