Serbët Kujtojnë Kryeministrin e Vrarë Zoran Gjingjiq

Kurora dhe lule u vendosën të enjten në Beograd në kujtim të Zoran Gjingjiq, kryeministri i cili u vra 12 vjet më parë.

Miq, të afërm dhe mbështetës vendosën lule në varrin e Zoran Gjingjiq, në Luginën e të Mëdhenjve në Varrezat e Reja në Beograd, ditën e enjte, duke shënuar ditën kur ai u vra në hyrje të ndërtesës së qeverisë në vitin 2003.

Anëtarët e qeverisë së Gjingjiq, i cili ishte në detyrë në vitet 2001-2003, dhe të Partisë së tij Demokratike i bënë nderime ish-kryeministrit duke vendosur kurora në varrin e tij, bashkë me të venë e tij Ruzhican dhe djalin e tyre Luka, si edhe mamanë dhe motrën e Gjingjiqit.

Kryeministri Aleksandër Vuçiç dhe kabineti i ministrave gjithashtu e përkujtuan vdekjen e kryeministrit para ndërtesës së qeverisë, ku Gjingjiq u qëllua me plumb në zemër nga një snajper.

“Sot, në përvjetorin e vdekjes së njeriut i cili u shpreh se Serbia do të jetë ajo që do ta bëjmë ne, se është koha të ndalim ndarjet midis nesh … një shtet normal, të mirë dhe të rregullt, ku mendimet kundërshtare shkaktojnë debat dhe jo vdekje, ishte ideali edhe për Zoran Gjingjiq,” tha Vuçiç në deklaratën për shtyp.

Policia siguroi varrezën, varrin e kryeministrit të ndjerë dhe rrugët ku njerëzit po marshonin për të nderuar Gjingjiqin pasi politikani ultra-nacionalist Vojisllav Sheshel tha ditën e mërkurë se ai synon të dërgojë një deputet në varr “me një piketë”.

Gjatë ngjarjes, asnjë nga anëtarët e Partisë Radikale të Sheshelit nuk u paraqit në përkujtimoren e mbajtur në varrezë.

Këtë vit, njësoj si në vitin 2014, Partia Liberale Demokratike si edhe vetë Partia Demokratike e Gjingjiqit, organizuan marshime të ndara.

Marshimi Liberal, i quajtur “Shëtitja për Zoranin”, pa mbështetësit e kryeministrit të ndjerë të çonin lule, trëndafila dhe qirinj në vendin e vrasjes. Grupi eci nga selia e Partisë Liberale drejt vendit të vrasjes, të udhëhequr nga kryetari i partisë, Çedomir Jovanoviq.

Mbështetësit e Partisë Demokratike, nga ana tjetër, ecën nga Rruga Krunska, selia e partisë së tyre, drejt varrit të Gjingjiqit.

Gjingjiq ishte ndër 13 themeluesit e Partisë Demokratike, e cila drejtoi një revoltë kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit në tetor të vitit 2000. Ai u bë kryeministër në vitin 2001.

Në qershor të vitit 2001, ai luajti një rol kryesor në arrestimin dhe ekstradimin e Millosheviqit në Hagë për t’u përballur me akuzat për krime lufte.

Si rezultat, Gjingjiq shkaktoi armiqësi të vazhdueshme me nacionalistët duke përfshirë ish-aleatit të tij, presidentit të atëhershëm të Jugosllavisë, Vojisllav Koshtunica.

Pas vrasjes, Serbia deklaroi gjendjen e jashtëzakonshme dhe nisi një operacion masiv policor, të koduar “Sablja”, gjatë të cili u arrestuan më shumë se 11,000 njerëz.

Në një gjyq që përfundoi në vitin 2007, Gjykata Speciale për Krimin e Organizuar dënoi 12 persona me një total prej 378 vjet burg për vrasjen.

Milorad Ulemek “Legija”, ish-komandant i Njësisë së Operacioneve Speciale, JSO, u shpall fajtor për organizimin e një grupi që thuri komplotin për ta vrarë atë dhe u dënua me 40 vjet burg.

Zvezdan Jovanoviq, në shërbim aktiv në njësi në kohën e vrasjes, u shpall fajtor se qëlloi plumbat që vranë kryeministrin. Të dy aktualisht po vuajnë dënime me nga 40 vjet burg.

Dhjetë të mbeturit, duke përfshirë ish-burra e JSO-së, ish-policë dhe pjesëtarë të të ashtuquajturës banda “Zemun”, një klan i organizuar krimi që mbante emrin e një lagje të Beogradit, u dënuan me nga 30-35 vjet burg.

Megjithatë, sfondi politik në këtë vrasje ende mbetet i paqartë me gjithë përpjekjet e familjes së Gjingjiqit për ta bindur prokurorinë të hetojë plotësisht rrethanat që sollën vrasjen dhe personat që e urdhëruan atë.