Serbët e Pranojnë, Gjakova i Dërgoi Botës Fotografi të Mirë Para UNESCO-s

Një autobus me pelegrinë serbë kanë vizituar sot kishën e Gjakovës.

Kjo vizitë, për dallim nga herët tjera, nuk është shoqëruar me protesta dhe kundërshtime të qytetarëve të Gjakovës.

Vizita e tyre u bë dy ditë para se në UNESCO të votohet për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë dhe opinioni e ka parë këtë vizitë si test për këtë garë të Kosovës dhe Serbisë para ngjarjes së të hënës.

Por Gjokica Stanojeviq e pranoi se gjakovarët, këtë ditë, i dërguan botës një “fotografi të mirë”.

“Kjo fotografi shkon në mbarë botën dhe jep dëshmi se duhet të ketë tolerancë mes popujve, njerëzve dhe besimeve. Kjo është një dëshmi se gjakovarët edhe pse në një atmosferë të rënduar, kanë ardhur në kishën e tyre, në rrugët e tyre”, tha Stojanoviq për KALLXO.com.

Ai tha se me këtë fitohet një fotografi e përmirësimit të raporteve ndërmjet gjakovarëve.

“Disa herë kam dhënë porosi që nëse dikush mundohet të na keqpërdorë, ne do të ndalemi, sepse kjo është festë fetar e jo politike”, tha ai.

“Jam gjakovar i vjetër, e di se si janë respektuar fetë, ne kemi shkuar te shqiptarët për Bajram edhe shqiptarët kane ardhur te ne për Krishtlindje. Sa i përket përmendoreve secili popull duhet të kujdeset për mirëmbajtjen e objekteve të tyre fetare. Serbët në Kosovë e Metohi duhet të kujdesen për kishat e tyre, shqiptarët objektet e tyre dhe katolikët të tyret dhe të gjithë së bashku ta ruajmë atë tradite të respektimit dhe kjo do të japë prosperitet”, tha Stanojeviq.

Ditë më parë Kryetarja e Komunës së Gjakovës kishte bërë thirrje për qetësi dhe ka kërkuar që Gjakova të jetë “konfirmimi final për realitetin e pakontestueshëm të Kosovës në UNESCO”.

“Si Kryetare e Komunës së Gjakovës, apeloj tek të gjithë banorët e Komunës tonë, të jenë të qetë, të mos bijnë pre e asnjë provokimi ose tundimi për të reaguar ndaj vizitës së nesërme, të respektojnë të drejtën dhe lirinë e lëvizjes dhe të kuptojmë se nesër nuk po vëzhgohet Gjakova, por po matet e gjithë Kosova në rrugëtimin e saj drejt UNESCO-së.”