Serbët dhe Shqiptarët ia Ndalojnë ë Njëri-Tjetrit Ndërtimet te Kroi i Vitakut

Rreth orës 10: 30 të paradites të së mërkurës, një grup prej 20 qytetarëve të nacionalitetit serb kanë penguar vazhdimin e ndërtimit të shtëpive të shqiptarëve në lagjen Kroi i Vitakut në Veri të Mitrovicës.

E të njëjtin veprime e kanë bërë edhe banorët shqiptarë të Lagjes Kroi i Vitakut duke ia pamundësuar  bashkëfshatarëve të  tyre serbë ndërtimin e shtëpive.

Gazetari i KALLXO.com ka shkuar në vendin e ngjarjes me ç’rast ka parë se punimet janë ndërprerë në gjashtë shtëpi të shqiptarëve.

Përfaqësuesi i lagjes Kroi i Vitakut në veri të Mitrovicës, Nazmi Ismaili, ka rrëfyer për rrjedhën e ngjarjeve.

“ Fillimisht një grup prej 20 personave të nacionalitetit serb kanë penguar shqiptarët duke ua pamundësuar vazhdimin e ndërtimit. E pas kësaj edhe shqiptarët i kanë penguar ndërtimin e shtëpive nga ana e serbëve në lagjen Kroi  i Vitakut” , tha Ismaili.

Ai tregoi se si pasojë e kësaj situatë shqiptarët dhe serbët do të takohen në ora 13:00 në Zyrën Administrative për Mitrovicën e Veriut, të udhëhequr nga Ardiana Hoxhiq.

Këto dy incidente i ka konfirmuar edhe Besim Hoti zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut. Ai tha se policia është duke pritur rezultatet e takimit mes banorëve të lagjes.