Senati Lëshon dhe Ngre Perin për Kërkesat e Studentëve

Në mbledhjen e mbajtur sot, Senati i Universitetit të Prishtinës ka vendosur unanimisht që afati i prilli të jetë me dy provime, e cila ka qenë kërkesë e studentëve protestues.

Po ashtu është vendosur që absolventët ta kenë afatin e majit me një provim, bëjnë të ditur për Kallxo.com burime brenda Senatit.

Senati ka vendosur që nëse statuti i ri nuk miratohet deri më 1 tetot, atëherë të jetë në fuqi edhe afati i nëntorit me një provim. Por nëse statuti i ri miratohet deri  më këtë datë, atëherë kjo çështje do të rregullohet me statut të ri të UP-së.

Afati i rregullt i qershorit do të fillojë më 15 qershor dhe do të zgjasë deri më 31 korrik.

Duke pasur parasysh protestat që janë zhvilluar prej studentëve lidhur me kërkesat e tyre në kundërshtim me statutin e UP-së, Senati është kujdesur edhe për këtë çështje. Në aneksin e vendimit, të cilin e ka nxjerrë sot Senati thuhet se “Të gjithë anëtarët e Senatit unanimisht u pajtuan që asnjë kërkesë e cila bie ndesh me statutin e UP-së të mos procedohet në Senat”, bëjnë të ditur burime brenda Senatit.

Një çështje interesante për të cilën ka insistuar shumë rektori i UP-së Ramadan Zejnullahu, e cila doli të ishte pikë shumë e nxehtë në mbledhjen e sotme të Senatit, ishte ajo e kompensimit të kohë së ligjëratave gjatë afateve të provimeve, më ç’ rast nuk ligjërohet.

Rektori ka kërkuar që procesi mësimor të ndërpritet prej 29 mars deri më 11 prill për shkak të afatit të provimeve, dhe kjo pjesë e kohës së ligjëratave të kompensohet prej 1 deri me 10 qershor. Këtë kërkesë nuk e kishin përkrahur një pjesë e profesorëve, por e cila në fund mori miratimin e anëtarëve të Senatit.