Rusia Paralajmëron Kundër- Sanksione Ndaj Shteteve Jo-Anëtare të BE-së

Kryeministri i Rusisë ka urdhëruar përgatitjen e masave hakmarrëse ndaj disa shteteve që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, por që i janë bashkuar sanksioneve të BE-së ndaj këtij shteti, raporton AP.

Dimitry Medvedev udhëzoi zyrtarët të martën që të shqyrtojnë kundër-sanksione ndaj shteteve të cilat ai nuk i identifikoi.

Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia, Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina i janë bashkuar sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë javën e kaluar.

ShBA-të dhe BE-ja imponuan sanksione në përgjigje të aneksimit rus të rajonit të Krimesë në Ukrainë dhe mbështetjes që Moska u jep kryengritësve pro-rusë në lindje të Ukrainës. Sanksionet kanë prerë qasjen e Rusisë në tregjet kapitale dhe kanë ndaluar transferin e pajisjeve ushtarake dhe teknologjike.

Vitin e kaluar, Moska u hakmor duke ndaluar shumë prodhime bujqësore perëndimore. Muajin e kaluar, Kremlini zgjeroi ndalesën pas vendimit të BE-së për t’i zgjatur sanksionet deri në janar.