RTK ua Shkëputë Kontratat dy Punëtorëve Sindikalistë

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka larguar nga puna kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të RTK-së, Fadil Hoxhën dhe nënkryetarin e kësaj sindikate, Arsim Halili, redaktor i lajmeve në televizion.

Vendimet për shkëputjen e kontratave të tyre janë nënshkruar nga drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala.

Në dokumente e siguruara nga KALLXO.com, për largimin e këtyre të fundit thuhet se Arsim Haili “pas shqiptimit të masës së rëndë disiplinore, ka vazhduar me shkeljen e radhës, duke sulmuar publikisht me deklarime të paautorizuara, komisionin disiplinor të RTK-së, pa pritur vendimin e shkallës së dytë, ku kishte bërë ankesë me paraqitjen e të pavërtetave dhe duke i shkaktuar dëm imazhit të RTK-së”.

Më tutje në vendim thuhet se  “Arsim Halili ka shkelur rregulloren për përgjegjësinë materiale dhe disiplinore, duke mos përfillur kërkesat me shkrim të eprorit të drejtpërdrejtë, për të qenë në orarin e punës në kohën kur kishte përgjegjësi editoriale për edicionet e lajmeve”.

Por arsyetimi në vendimin e drejtorit është kundërshtuar nga Arsim Halili.

“Kjo është një hakmarrje, është masë ndëshkuese për atë që ne kemi protestuar, për ndodhitë që ndodhen në RTK. Arsye për këtë vendim është protesta e 12 redaktorëve”, tha Arsim Halili për KALLXO.com.

Një grup i redaktorëve të RTK-së protestuan më 4 mars kundër vendimeve të menaxhmentit për emërimin e kryeredaktorëve në këtë medium.

Sipas tij, këto vendime janë “kërcenim edhe për gazetarët e tjerë”.

“Gazetarët e redaktorët janë nën presion të vazhdueshëm, kanë pasur presion dhe kërcënime të vazhdueshme”, tha ai.

Njëjtë mendon edhe kryesindikalisti i RTK-së, Fadil Hoxha.

Në pikën 2 të vendimit për shkëputje të kontratës ndaj Hoxhës thuhet se “i punësuari ka dalë publikisht, pa autorizim, duke tentuar të krijojë përshtypje negative për RTK-në dhe duke dëmtuar imazhin e RTK-së, që paraqet shkelje të rëndë disiplinore”.

“Kjo është hakmarrje ndaj punës së sindikatës, si dhe hakmarrje ndaj meje”, tha Hoxha.

“Ne jemi munduar gjithmonë që parregullsitë me i paraqitë në institucione, edhe pse çdo herë  fillimisht kemi biseduar me Bordin e RTK-së”, u shpreh ai.

Por zëdhënësi i RTK-së, Bekim Shehu ka mohuar pretendimet e Arsim Halilit e Fadil Hoxhës.

“Largimi i tyre nga puna nuk ka të bëjë me aktivitetet e tyre sindikale, por ata vazhdimisht e kanë shkelur kontratën e punës megjithë vërejtjet e mëhershme dhe të vazhdueshme që u janë bërë nga Komisioni Disiplinor”, ka zëdhënësi Shehu.