Rrahje Mes Të Rinjve Te Mensa e Studentëve

Një student i lënduar ka përfunduar në QKUK pas një përleshje që ka ndodhur me disa të rinjve te Mensa e Studentëve.

Sipas dëshmitarëve të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjes, rreth njëzet të rinj kishin rrahur dy studentë, njëri prej të cilëve ka lëndime serioze ndërsa tjetri kishte arritur të ikë.

Dëshmitarët thonë që të rinjtë kishin përdorur edhe boksa të hekurt për të ushtruar dhunë ndaj studentit.

Shkurte Zeka, një studente e cila kishe qenë e pranishme në vendin e ngjarjes, thotë të jetë ndier e tmerruar nga ajo që ka parë.

“Ishin diku 20 persona që e rrahën studentin. Mendova që ka vdekur kur e pashë që është shtrirë për toke”, ka thënë Zeka.

“Edhe me boksa të hekurit i mshojshin dhe me çka kishin mundësi. Skena të tilla veç në filma kam pa”, ka u shpreh Zeka.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës nëpërmjet zëdhënëses Florije Ahmeti.

“Policia e Kosovës ka marrë informatën rreth orës 12 se ka rrahje mes studentëve, përkatësisht disa studentë kishin ushtruar dhunë ndaj dy të tjerëve”, ka thënë Ahmeti.

Sipas saj, policia nuk ka informata për arsyet që çuan deri te ky incident.

Njëri nga studentët e lënduar aktualisht ndodhet në QKUK dhe është jashtë rrezikut për jetë.

“Ka lëndime serioze në kokë por është jashtë rrezikut për jetë”, kanë thënë në QKUK duke shtuar që të lënduarit ende nuk i është bërë fotografimi.

Siç mëson KALLXO.com, rrahjes mes studentëve i kishte paraprirë një mosmarrëveshje e natës së mbrëmshme lidhur me një termin që e kishin caktuar për të luajtur futboll në një sallë të kryeqytetit.