Rinovimi 6 Milionësh i Spitalit në Vushtrri Zhvendos Shërbimet, Qytetarët Ankohen

Rinovimi i spitalit rajonal të Vushtrrisë “Sheikh  Zayed” i ka shkaktuar telashe Fetije Mehanit, nënës së Lirijes e cila ka pasur nevojë për shërbime të repartit të Neurologjisë. Mirëpo në spitalin e Vushtrrisë, nuk ka repart të Neurologjisë. Për këtë shërbim ajo thotë se e ka dërguar vajzën e saj në Skenderaj – me gjithë kushtet e vështira ekonomike që i ka.

“Kur erdhëm këtu na thanë që spitali nuk punon se është duke u rinovuar, pastaj vajzën e kemi dërguar në Skenderaj, mirëpo as atje nuk kemi mundur ta kontrollojmë, e u detyruam që ta kontrollojmë privat në Drenas”, rrëfen ajo.

Fetijes i ka vdekur burri dhe ajo jeton me dy fëmijët – njërin 15 vjeçar dhe tjetrin 16 vjeçar, duke mbijetuar me asistencë sociale.

Mbyllja për rinovim e Spitalit Rajonal në Vushtrri “Sheikh Zayed” ka lënë pa shërbime spitalore edhe qytetarët e tjerë të Vushtrrisë.

Për këtë rinovim janë ndarë 6 milionë euro nga donatori “Halifa” i Emirateve të Bashkuara Arabe i cili pritet të finalizohet pas gjashtë muajve.

Qytetarët e Vushtrrisë përveç shërbimeve emergjente, shërbimet e tjera spitalore po i  marrin në spitalin e Mitrovicës, pasi që një pjesë e stafit mjekësor të spitalit të Vushtrrisë është bartur atje.

Spitali i Vushtrrisë ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me spitalin e Mitrovicës që gjatë kohës përderisa të rinovohet spitali, shërbimet e Kirurgjisë, Gjinekologjisë, Anesteziologjisë e disa shërbime tjera mjekësore së bashku me stafin të bartën në këtë spital.

Drejtori i Spitalit “Sheikh Zayed” në Vushtrri, Hajrullah Saraqi, tha se Shërbimi Spitalor Kliniko-Universitar i Kosovës ua ka miratuar që t’ua mbulojë  shpenzimet e udhëtimit punëtorëve të spitalit.

“Ministria e Shëndetësisë me buxhetin e vet po ua paguan shpenzimet që po udhëtojnë punëtorët e spitalit prej Vushtrrisë deri në Mitrovicë”, tha Saraqi për KALLXO.com.

Koordinatorja për donacione e Shërbimit Spitalor Kliniko-Universitar të Kosovës, Rina Limani, tha se është nënshkruar kontrata për renovim të këtij spitali, ndërkaq ajo mohon se SHSKUK-ja është duke i mbuluar shpenzimet e udhëtimit të stafit mjekësor të spitalit të Vushtrrisë.

“Është nënshkruar marrëveshja në mes donatorit “Halifa”, spitalit dhe SHSKUK-së. Ky projekt do të përfshijë rinovimin, furnizimin me pajisje të punës, projekt i cili pritet të finalizohet brenda 6 muajsh”, tha Limani.

Drejtorit Saraqi thotë se pas rinovimit qytetarët do të përfitojnë shumë nga kushtet që do t’i ofrojë spitali.

“Do të bëhet CT 64 shtresore e cila po kushton në vlerë prej 624 mijë euro, anglo CT si dhe kuadri profesional që të punojë me këto aparatura. Do të hapet reparti i Urologjisë ku vetëm aparaturat po kushtojnë 233 mijë euro, laboratori për analiza laboratorike në vlerë prej 200 mijë euro, e shumë shërbime të tjera në favor të qytetarëve”, tha Saraqi.

Për aparaturën e vjetër ai tha se është duke qëndruar në disa depo në periferi të Vushtrrisë, kurse aparaturat të cilat janë blerë me buxhet të Ministrisë së Shëndetësisë Saraqi tha se do t’i kthehen Ministrisë, ndërkaq aparaturat e blera nga donacionet do të merret pëlqimi i tyre dhe ata do të vendosin se ku do të shkojnë ato aparatura.

“Aparaturat e vjetra janë në depo, ato nuk do të hyjnë më në spital, e në vend të tyre do t’i sjellim aparaturat e reja. Hapësira e objektit është e njëjtë, vetëm emergjencës po i  shtohen edhe pak metra katrorë. Kështu që, po shpresojmë se do t’i zë hapësira aparaturat e reja”, përfundoi Saraqi.

Për më tepër, menaxher i këtij projekti është Nizar Huusieen nga kompania “Healthcare Designers and Project Managers” nga kryeqyteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dhabi, ndërsa punimet është duke i kryer Ndërmarrja Projektuese Ndërtimore “Favoring” nga Suhareka.