Rikthimi i “Medicusit” në Gjykatën e Apelit

Shtatë vjet pas arrestimit dhe dy vjet pas dënimit urologu Lutfi Dervishi me djalin e tij Arbanin dhe tre anesteziologë janë ulur përsëri në bankën e të akuzuarve këtë herë në Gjykatën e Apelit.

Apeli ka nisur ta shqyrtojë të mërkurën dënimin e këtyre pesë personave në prillin e vitit 2013 nën akuzat për transplantim ilegal të organeve.

Gjatë këtij shqyrtimi të enjten, pronari i Klinikës “Medicus” ku ndodhën këto transplantime tha se i kishte mbetur hatri nga mënyra se si qe arrestuar në nëntorin e vitit 2008.

“Mënyra se si jam arrestuar unë në prezencë të studentëve të mi më ka lënduar shumë,” deklaroi Dervishi.

Avokatët e të dënuarve gjatë këtij shqyrtimi në Apel po kërkojnë shfajësim të klientëve të tyre, ose kthim të rastit “Medicus” në rigjykim, duke përmendur një varg shkeljesh gjatë procesit të zhvilluar në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Petrit Dushi, avokati i Arban Dervishit tha se Themelorja ka bërë vërtetim të gabuar dhe jo të drejtë të gjendjes faktike.

Ai u shfaq optimist se Apeli do të marrë miratojë ankesat e mbrojtjes.

“Ne jemi sot në shkallë të dytë pranë Gjykatës së Apelit kjo si rrjedhojë e ankesave që ne i kemi deponuar qysh në nëntor të vitit 2013. Tani mbetet në kolegjin shqyrtues që t’i aprovojë ankesat tona apo jo. Në rastin më të favorshëm mbrojtja kërkon ndryshim të aktgjykimit të Gjykatës Themelore të shkallës së parë,” tha Dushi.

Ramë Gashi, avokati i anesteziologut Sokol Hajdini tha se gjykata gjatë shqiptimit të dënimit ka marrë parasysh Ligjin Penal të Serbisë. Përveç kësaj, Gashi renditi edhe shkelje tjera.

“Mbrojtja e Sokol Hajdinit konsideron fuqishëm se aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë merret me shkeljet esenciale të dispozitave të Procedurës Penale. Nuk janë marrë për bazë shumë fakte, prova dhe rrethana që edhe mbrojtja atëherë i ka propozuar në fazën e hershme të gjykimit,” tha avokati Gashi, duke shpresuar se Apeli do t’i korrigjojë lëshimet e Themelores.

Ahmet Ahmeti, avokati i Islam Bytyqit kërkoi kthim të “Medicusit” në rigjykim.

“Klienti im është i ngarkuar vetëm me një akuzë dhe jo me shumë akuza. Unë ankesën e kam bërë mbi këto baza dhe kam kërkuar që aktgjykimi i atakuar të prishet dhe lënda të kthehet në rigjykim apo të ndryshohet dhe klienti im të lirohet nga akuza”, theksoi Ahmeti.

Urologu Lutfi Dervishi, djali i tij Arban Dervishi dhe mjekët Sokol Hajdini, Islam Bytyqi e Sylejman Dulla qenë dënuar me gjithsej 20 vjet e 3 muaj burg më 29 prill të vitit 2013.

Pronari i Kliinikës Medicus Lutfi Dervishi, atë ditë u dënua me tetë vjet burg dhe 10 mijë euro gjobë për krim të organizuar dhe trafikim me qenie njerëzore. Atij iu ndalua edhe ushtrimi i profesionit të urologut për dy vjet.

Arban Dervishi, menaxher në klinikë atëherë u dënua për të njëjtat akuza me Lutfi Dervishin me 7 vjet e 3 muaj burg dhe gjobën prej 2 mijë e 500 eurosh.

Sokol Hajdini për lëndime të rënda trupore u dënua me 3 vjet burg dhe ndalim mosushtrimi të profesionit të anesteziologut për një vit.

Po për lëndime të rënda trupore u dënuan me nga një vit burg me kusht edhe Islam Bytyqi e Sylejman Dulla.

Pas arrestimit të mjekut Lutfi Dervishi , të birit të tij dhe anesteziologëve, Policia  e Kosovës kishte bastisur Klinikën “Medicus” ku kishte gjetur medikamente me afat të skaduar dhe doza të gjakut të cilat nuk kishin origjinë.

Në Klinikën “Medicus” ishte gjetur edhe një pacient, shtetas izraelit, i cili dyshohet se kishte pranuar veshkën nga një shtetas turk. Shtetasi turk qe arrestuar në Aeroportin e Prishtinës në kohën kur po largohej nga Kosova.