Riatdhesohen Mbetjet Mortore të 24 të Varrosurve në Rudnicë

EULEX-i ka bërë të ditur se personeli i këtij misioni i cili punon në Departamentin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës ka pranuar nga autoritetet serbe mbetjet mortore të 24 personave të zhvarrosur gjatë gërmimeve të fundit në Rashkë.

“Mbetjet mortore do të transportohen në selinë e DML-së në Prishtinë, ku do të bëhet identifikimi i tyre“, thuhet në komunikatë.

Pas përfundimit të identifikimit, mbetjet mortore do t’u dorëzohen familjeve me ndihmën e Komisionit të Kosovës për Persona të Zhdukur.

Ky është riatdhesimi i dytë i lehtësuar nga EULEX-i, kurse deri tani në Kosovë janë riatdhesuar 40 persona të gjetur në varrezën masive në Rudnicë.