Revista Satirike ‘Feral’ Festohet në Version të Printuar

Një libër i ri eksploron historinë e “Feral Tribune”, një revistë provokuese anti-institucionale që hetoi dhe satirizoi autoritetet në Kroaci për më shumë se dy dekada.

Vëllimi i dytë i librit ‘E qeshura e Lirisë: Hyrje në ‘Feral Tribune’, shkruar nga gazetari kroat Boris Pavelic, u promovua ditën e mërkurë në qytetin bregdetar të Splitit, filloi revista e përjavshme satirike.

Gjatë viteve 1990, “Feral Tribune” ishte zëri kryesor i mediave të pavarura që raportoi për rritjen e nacionalizmit gjatë regjimit të udhëhequr nga qendra e djathtë Unioni Demokrat Kroat (HDZ) dhe presidentit Franjo Tuxhman.

Faqet e saj të para u bënë të famshme për fotomontazhet e saj satirike ndërsa shkrimet dhe raportimet e saj hetuese dhe kritike bënë që ajo të vihej nën presion nga autoritetet në vitet 1990 për shkak të qëndrimit të saj të guximshëm dhe anti-institucional.

“Mund të vërtetohet dhe tregohet, në mënyrë kronologjike, që ky lob kundër “Feral”-it që ekzistoi për gjithë këto vite u krijua në mënyrë të qëllimshme brenda HDZ-së (qendrës së djathtë Unioni Demokrat Kroat, e cila ishte në pushtet gjatë viteve 1990) dhe ndoshta nga zyra presidenciale e presidenti i parë kroat Franjo Tuxhman,” tha Pavelic.

“Feral Tribune” raportoi mbi krimet e luftës dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në vitet 1990, të cilat nuk u mbuluan nga mediat kryesore për shkak të propagandës dhe censurës së fortë të shtetit.

Një prej gazetarëve të saj, Viktor Ivancic, u thirr në ushtri pasi revistë botoi një faqe të parë provokuese me një fotomontazh të Tuxhmanit dhe presidentit serb Sllobodan Millosheviç në shtrat bashkë.

Revista u dogj publikisht në qendër të Splitit dhe ekipi editorial iu nënshtrua një numri të madh padish për shpifje nga zyrtarët e qeverisë.

Ivancic tha për BIRN se revista ishte menduar si “një demistifikim radikal i realitetit, ndërsa mediat e sotme janë një mistifikim radikal i realitetit”.

Por ai tha se nuk ishte pesimist në lidhje me skenën aktuale të mediave në Kroaci.

“Mendoj se ka media të ndryshme alternative ku ekziston një kritikë e mirë sociale. Mendoj se media nuk është aq e fuqishme sa e tregon veten,” tha ai.

“Feral Tribune” filloi në tetor 1983 si një suplement në numrin e të dielës të gazetës “Slobodna Dalmacija” dhe u mbyll në qershor të vitit 2008 për shkak të problemeve financiare.

Pavelic, i cili në të kaluarën ka raportuar gjithashtu për BIRN-in, tha se revista mund të jetë ende një frymëzim për gazetarët sot.

“Metodat hetuese kanë ndryshuar shumë, por kjo s’është e rëndësishme. Ajo që ka rëndësi është nëse gazetarët janë mjaftueshëm të aftë. Konstantja është trimëri,” tha ai.

“Nëse dikush ka një histori ‘të rëndë’ që është e rrezikshme për t’u botuar, ai njeri duhet të ketë guximin ta botojë atë. Kjo është ajo që kishte ‘Feral Tribune’,” shtoi ai.