Rektori Zejnullahu: Organizatat e Dala Nga Lufta Po Kërkojnë Të Shkelet Ligji

E përditësuar

Mësues të Shkollave Fillore Ligjërojnë Në UP

“Janë mbi 1 mijë e më shumë staf që mungon që ne po i rekrutojmë nëpër konkurse interne dhe që po na vijnë njerëz që punojnë në shkollë fillore dhe që duhet të mbajnë mësim me Master”.

Kështu ka deklaruar rektori i UP-së, Ramadan Zejnullahu, gjatë një interviste ekskluzive për KALLXO.com.

Kjo sipas tij po ndodh, për shkak se studentët janë regjistruar. Në të kundërtën, duhet t’u thuhet studentëve që të shkojnë në shtëpi.

“Jemi të obliguar t’i angazhojmë, sepse, në të kundërtën duhet që pas regjistrimit që ka ndodh t’i themi studentëve shkoni në shtëpi sepse papërgjegjësia jonë institucionale ka arrit t’i fusë studentët brenda në program arsimor pa e pasur asnjë mësimdhënës të kualifikuar”, shtoi Zejnullahu.

Kreu i UP-së, Ramadan Zejnullahu, premtoi se do ta publikojë listën me emrat e atyre që nuk i kanë sjellë punimet e doktoratave.

“Do t’i publikojmë emrat e atyre që nuk i kanë”, tha ai.

“Të gjitha doktoratat që janë mbrojt pas luftës deri në muajin nëntor do t’i kemi në ueb-faqe për secilin kandidat, pa përjashtim”, shtoi Zejnullahu.

Ai nuk e përjashtoi mundësinë që ndokush edhe ta ketë asgjësuar disertacionin e doktoratës, por thotë se duhet të ketë një arsye të madhe për këtë.

“Në qoftë se mungon, duhet arsyetim i veçantë nëse është asgjësuar, sepse nuk e përjashtoj mundësinë që dikush edhe ta ketë asgjësuar”, tha Zejnullahu.

Rektori: Nëse Nuk Mund T’i Shtyj Përpara Proceset, Jap Dorëheqje

Rektori i UP-së, Ramadan Zejnullahu, tha se ministri i Arsimit, Ramë Buja, në një takim, i kishte kërkuar atij që ta implementojë listën me emrat e fëmijëve të dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të UÇK-së, dhe kjo, duke u bazuar në memorandumin e bashkëpunimit mes OVL të UÇK-së dhe UP-së.

“Nuk e kam pritë që do të më kërkohet që krejt lista të implementohet. Ajo do të thotë që duhet të merren të gjithë këta studentë të cilët janë në listë”, tha rektori Zejnullahu, duke shtuar se ministri Buja është dashur t’i dijë ligjet që janë miratuar në Kuvendin e Kosovës, e që kanë të bëjnë me benificionet e këtyre kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.

“Ministri ishte i bindur se ne duhet ta gjejmë një zgjidhje, duke mos e lënduar universitetin, duke pasur parasysh që kriteret të ruhen dhe që duke e pasur në konsideratë që universiteti ballafaqohet me vështirësi të mëdha”, shtoi ai.

Ai tha se ministri Buja i ka kërkuar atij që ta bëjë një kërkesë në adresë të ministrisë, duke kërkuar nga kjo e fundit lejimin për pranim të listave me emrat e fëmijëve të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.

“Ministri paraprakisht ka kërkuar që unë ta bëj një kërkesë në adresë të MAShT-it që ai të më lejojë ta regjistroj listën”, tha ai.

Kur u pyet nëse kjo i bie që i është kërkuar nga ministri ta shkelë ligjin, ai nuk e precizoi shumë.

“Në fakt ashtu i bie, por po rezervohem prej asaj”, tha rektori Zejnullahu.

Megjithatë, ai tha se po i ndërhyhet në punën menaxheriale të UP-së. Por tha se, nëse nuk arrin t’i shtyjë proceset përpara, ai do të japë dorëheqje.

“Çështjet që nuk mund t’i shtyjë, nuk i mbaj në dorë. Kjo ka nënkuptuar se do ta thërras bordin dhe t’i kërkoj falje për besimin që ma ka dhënë se unë nuk mund ta kryej atë”, tha ai.

 

———————-

Rektori i UP-së, Ramadan Zejnullahu, në një intervistë ekskluzive për KALLXO.com i përgjigjet ultimatumit të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së lidhur me pranimin e listës me emrat e fëmijëve të familjeve të veteranëve, dëshmorëve dhe invalidëve të luftës.

Ai konsideron se nuk është dashur të përdoret gjuha që ata e kanë përdorë.

Sidomos jo duke u thirrur në gjakun e dëshmorëve, për përfitime personale.

“Mendoj se kjo gjuhë nuk duhet të përdoret, aq më parë me institucionin nga i cili kemi përfituar të gjithë dhe nga institucioni, të cilin të gjithë e dimë se e kemi pru në një situatë që pak ka mbetë universitet prej tij”, tha rektori Zejnullahu.

“Kjo ka ndodhë për shkak të këtyre veprimeve të individëve të caktuar, të cilët duke u thirrë në gjakun e dëshmorëve, në fakt po e etiketojnë atë”, shtoi ai.

Zejnullahu u bëri thirrje atyre që i dhanë ultimatum që ta shikojnë problemin e listave edhe nga perspektiva e pozitës së tij.

“Ata të cilët japin ultimatume duhet të mendojnë, dhe kështu ju kam thënë, ndonjëherë të ulen në karrigen time dhe t’i presin edhe këta fëmijë. Sepse ata nuk janë fajtorë që para 15 viteve, prindi i tyre nuk e ka zgjedhë një rrugë tjetër nga ajo që e ka zgjedhë atëherë”, tha Zejnullahu.

Ai duke folur për kërkesat për shtim të numrit të studentëve, tha se kushdo që e kërkon këtë, kërkon shkeljen e ligjit.

“Çdokush që don të bëjë kërkesë për shtim të numrit duke i anashkaluar kriteret të cilat janë përcaktuar në konkurs, kërkon që ne të bëjmë shkelje të ligjit dhe të bëjmë, në fakt, një lloj diskriminimi të fëmijëve”, tha ai në intervistën për KALLXO.com.

Sa i përket dyshimeve për manipulim me listat e fëmijëve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së, rektori tha se nuk e përjashton një gjë të tillë.

Madje ai tha se kishte qenë prezent në një takim me ministrin e MAShT-it dhe shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së kur zëvendësministri, Nehat Mustafa, u kishte thënë atyre që ka informacione se dy emra nga Ferizaj janë futur në listë pa qenë pjesë e këtyre kategorive të luftës.

“Zëvendësministri i MAShT-it, Nehat Mustafa, gjatë një takimi që kishim bashkë me shoqatat e luftës dhe ministrin, në mënyrë shumë transparente ua tërhoqi vërejtjen për dy emra nga Ferizaj se gabimisht janë renditur aty se nuk e kanë vendin te shoqatat e dëshmorëve. Dua të besoj se nuk ka pasur shpërdorim. Nuk kemi mekanizma për verifikimin e emrave të fëmijëve se a janë të dëshmorëve apo jo”, tha ai.

Rektori Zejnullahu ka folur edhe për memorandumin e bashkëpunimit mes OVL të UÇK-së dhe UP-së. Ai tha se ky memorandum nuk ekziston për të.

“Ky dokument për mua nuk është ekzistent, është i tejkaluar, sepse Kuvendi i Kosovës, në ndërkohë ka miratuar dy ligje që e rregullojnë këtë çështje”, tha ai.

Ai tha se nëse emrat e listës së OVL-ve pranohen pa provim pranues, atëherë kjo do të ishte në kundërshtim me dy ligjet që janë në fuqi.