“Reciprociteti” për Dorëheqjet në Qeveri

Janë bërë bashkë 120 organizata nga të komunitetet joshqiptare në Kosovë për të kërkuar dorëheqjen e ministrit për Diasporë, Valon Murati. Kjo për shkakun e një deklarate të tij se “pozita e privilegjuar e komuniteteve joshqiptare, e veçanërisht ajo e komunitetit serb, është njëra prej arsyeve kryesore për emigrimin e shqiptarëve të Kosovës”.

“Pas deklaratave të pamatura dhe ndezëse të cilat ministri i diasporës Valon Murati i ka dhënë të hënën, duke theksuar se “pozita e privilegjuar e komuniteteve joshqiptare, e veçanërisht ajo e komunitetit serb, është njëra prej arsyeve kryesore për emigrimin e shqiptarëve të Kosovës”, organizatat e shoqërisë civile të komunitetit serb dhe komuniteteve tjera joshqiptare, të firmosura më poshtë, kërkojnë nga Qeveria të kërkojë falje dhe që urgjentisht ta shkarkojë zotëri Muratin”, thuhet në kërkesën e këtyre organizatave për shkarkimin e ministrit Murati.

Kjo deklaratë e cila vjen nga ana e një funksionari të lartë të Qeverisë, edhe njëherë po e zbulon cinizmin dhe hipokrizinë  në mesin e elitës politike në Prishtinë kur bëhet fjalë për përkushtimin në ndërtimin e një shoqërie multi-etnike, njëkohësisht tregon se frika te komuniteti serb dhe te komunitetet tjera është e arsyeshme  lidhur me diskriminimin dhe mosrespektimin e të drejtave të tyre të garantuara, të cilat mbesin vetëm shkronja të vdekura në letër. Kjo  është, gjithashtu, një lloj presioni i Prishtinës me të cilin porositet se nuk do të heq dorë nga qëndrimet e ngulitura dhe maksimaliste gjatë bisedimeve në Bruksel dhe nuk i lënë hapësirë zgjidhjes me kompromis ku edhe më tutje po zvarritet themelimi i Bashkësisë së komunave serbe”, thuhet më tej në kërkesë.

Deklaratën e ministrit Murati këto organizate e shohin si shumë të rrezikshme.

“Deklaratat e tilla na dërgojnë drejt mobilizimit të njerëzve në baza etnike, e cila është drejtuar, para së gjithash, kundër komunitetit serb, dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë e rrezikon sigurinë fizike të qytetarëve dhe të pasurisë së komuniteteve joshqiptare”, vazhdon kërkesa.

Ata thonë se përfundimisht në këto  treva duhet të krijohet respektimi i principeve të përgjegjësisë politike për deklaratat e dhëna për publikun të cilat drejtpërsëdrejti na dërgojnë drejt forcimit të  armiqësive ndëretnike dhe minojnë procesin politik të deritanishëm në Bruksel.

“Përgjegjësia për marrëdhëniet ndëretnike në një shoqëri gjithmonë qëndron te komuniteti shumicë i cili me veprimet e veta duhet t’i bindë  pjesëtarët e komuniteteve joshqiptare me sinqeritetin dhe dëshirën për pajtim. Jemi dëshmitarë të faktit se deklaratat e tilla nuk i kontribuojnë bashkëpunimit dhe se elita politike në Prishtinë nuk është e gatshme edhe më tutje që të pranojë kërkesat legjitime dhe të drejtat e komuniteteve tjera”, përfundon kërkesa e 120 organizatave të komuniteteve joshqiptare në Kosovë.