Ratko Mlladiç, në Dasmë apo në Masakër?

Një dëshmitar i mbrojtjes tha në gjyqin për krime lufte të Ratko Mlladiç se ai filmoi ish-liderin ushtarak në një dasmë në Beograd në një nga ditët kur forcat serbe të Bosnjës masakruan boshnjakët nga Srebrenica.

Dëshmitari i mbrojtjes Radovan Popovic tha në Gjykatën e Hagës të mërkurën se Mlladiç mori pjesë në një dasmë në Beograd më 16 korrik 1995, kur, sipas akuzave, Ushtria Serbe e Bosnjes nën komandën e tij vrau boshnjakë nga Srebrenica.

Popovic tha se ai ka realizuar një video të dasmës me kërkesë të nuses Biljana Djurdjevic, me të cilën ai ka punuar në gazetën “Vojska” në atë kohë.

Mlladiç, komandanti i Ushtrisë Serbe të Bosnjës gjatë kohës së luftës, akuzohet për gjenocid ndaj rreth 7,000 boshnjakëve të Srebrenicës në ditët që pasuan pushtimin e qytetit më 11 korrik 1995.

Aktakuza pohon se shumica e boshnjakëve u vranë në afërsi të Zvornikut nga 14 deri më 17 korrik 1995.

Mbrojtja këmbëngul se Mlladiçi ishte në Beograd në atë kohë. Prokuroria nuk e mohon këtë, por pretendon se ndërsa ishte në Beograd, Mlladiçi kishte ende kontroll mbi Ushtrinë Serbe të Bosnjës.

Popovic tha se Mlladiç dhe gruaja e tij Bosiljka morën pjesë në dasmën e Zarko Stojanovic dhe Biljana Djurdjevic prej orës 10:00 deri në orën 18:006 më 16 korrik 1995.

Mlladiç, i cili ishte shoqëruesi i dhëndrit, mbërriti në apartamentin e nuses dhe pastaj mori pjesë në martesën në kishë si edhe festën në restorant “Dva Ribara” më pas.

“Ai dhe gruaja e tij u filmuan gjatë gjithë kohës me kamera,” tha dëshmitari.

Popovic shtoi megjithatë se ai nuk e filmoi dot largimin e çiftit të martuar dhe Mlladiçit rreth orës 18:00, sepse doli për të blerë një kasetë të re.

Në fund të festës të njëjtën mbrëmje Popovic ia dorëzoi të dyja kasetat nuses dhe dhëndërit si një dhuratë. Ai nuk i pa më kurrë kasetat.

Në dëshmitë e tyre të mëparshme, çifti tha se kasetat u zhdukën nga shtëpia e nënës së nuses, ndërsa ata ishin në një udhëtim jashtë vendit.

Gjatë marrjes në pyetje, prokurori Peter McCloskey e pyeti dëshmitarin nëse Mlladiçi i humbi ndonjëherë nga sytë gjatë asaj dite.

“Jo, unë jam fotograf profesionist. Kur krijoj një skenë, ndërsa kamera është duke regjistruar, unë shikoj përreth, duke i kushtuar vëmendje të veçantë çiftit të sapomartuar, shoqëruesit të dhëndrit dhe bashkëshortes së tij, në mënyrë që të mos humbas asnjë detaj të rëndësishëm. Prandaj nuk ua ndava asnjëherë sytë, edhe kur kamera nuk ishte duke regjistruar,”u përgjigj Popovic.

Ai tha se Mlladiçi nuk u largua nga tavolina në restorant në asnjë moment dhe se ai madje nuk shkoi as në tualet. Sipas dëshmisë së dëshmitarit, ai “piu shumë duhan dhe ujë mineral”, përveçse kur mori një gotë të vogël raki shtëpie për të ngritur një dolli për çiftin e sapomartuar.

McCloskey i paraqiti dëshmitarit një transkript të një bisede të përgjuar mes Mlladiçit dhe Shtabit Kryesor të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, në orën 16.15 më 16 korrik 1995 – gjatë dasmës.

“Nuk e kam parë diçka të tillë,” u përgjigj Popovic.

Kur u pyet nëse “si gazetar”, ai ishte në dijeni të masakrave ndaj boshnjakëve nga Srebrenica që po ndodhin rreth Zvornikut gjatë festës në Beograd, dëshmitari tha se ai nuk ishte në dijeni të kësaj dhe se e kishte marrë vesh më vonë.

“E di që u vranë shumë njerëz, por nuk isha i përfshirë në hetimin detajeve, sepse kryeredaktori nuk ma kërkoi mua këtë gjë. Mund të them se në atë kohë kjo ishte një tabu. Në atë vend ndodhën gjëra të tmerrshme, u vranë shumë njerëz,” tha Popovic.

Kur u pyet nga prokurori nëse duke thënë “gjëra të tmerrshme”, ai nënkuptonte vrasjet masive të boshnjakëve nga Srebrenica, dëshmitari u përgjigj: “Po”.

Mlladiç akuzohet gjithashtu për persekutim të boshnjakëve dhe kroatëve në gjithë Bosnje dhe Hercegovinën, e cila dyshohet se arriti shkallën e gjenocidit në gjashtë komuna të tjera, terrorizim të popullsisë së Sarajevës dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.