Raporton në Polici për Shpërthim në Shtëpi, Arrestohet Raportuesi

Policia Rajonale e Pejës njoftoi se të dielën mbrëma në fshatin Vitomericë në një shtëpi banimi kishte ndodhur një shpërthim. Rastin në Stacionin Policorë e kishte raportuar pronari i shtëpisë, H. B., i cili kishte deklaruar se persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të shtëpisë së tij dhe kanë hedhur brenda saj edhe mjet eksploziv.

Në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitet relevantet të policisë, së bashku me skuadrën e bombave, bën të ditur policia. Sipas policisë, në vend të ngjarjes hetuesit policorë kanë gjetur prova të mjaftueshme të cilat kanë rezultuar që vetë raportuesi i rastit të jetë i dyshuar.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, H. B., është shoqëruar në Stacionin Policorë të Pejës si i dyshuari kryesorë i ngjarjes.

“Pas veprimeve hetimore të ndërmarra, sigurimit të provave dhe dëshmive është intervistuar raportuesi i këtij rasti, tani në cilësi të dyshuarit, i cili pasi është konfrontuar me provat dhe të gjeturat lidhur me këtë rast, pranon që këtë shpërthim në shtëpinë e tij ta ketë bërë vetë. I njëjti me veprimet e tij është i dyshuar me bazë për veprat penale ‘lajmërim apo kallëzim i rremë’ si dhe ‘mbajtje në pronësi ose në posedim të paautorizuar të armës”, thuhet në njoftimin e policisë së Pejës.

Ky rast, sipas policisë, do të procedohet nga Prokuroria e Shtetit.