Ramë Buja: "Patatja e Nxehtë" i Mbetet Arsim Bajramit në Dorë

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, në ditën e fundit të tij në këtë pozitë, shprehu keqardhje për pasardhësin e tij, Arsim Bajrami, të cilit do t’i duhet të merret me një universitet publik në një gjendje të vazhdueshme jo-stabile.

Në konferencën për shtyp, pak orë para se ta dorëzojë postin e ministrin, Buja u shpreh se gjendja në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” nuk është stabilizuar, sado që gjatë mandatit të tij, universiteti ka ndërruar tre rektorë.

“Ky universitet nuk po stabilizohet. Me gjithë insistimin tim, nuk kemi arritur ta bijmë në vijë. Po më vjen keq për ministrin qe vjen (Arsim Bajrami) që kjo patate e nxehtë po i mbetet në dorë”, tha Buja.

Puna kryesore me të cilën duhet të merret Bajrami është një memorandum kontrovers që UP e ka lidhur me shoqatat e dala nga lufta për pranimin e studentëve të rinj nga familjet e këtyre kategorive.

Buja nuk deshi të flasë nëse ka ndonjë sugjerim për Arsim Bajramin se si ta trajtojë këtë çështje.

“Nuk do të flas për ministrin e ardhshëm asgjë veçse e di që ai është më i mirë sesa ky ministri që po flet këtu”, tha ai kur u pyet nëse Arsim Bajrami e ka obligim ta zbatojë vendimin e tij për regjistrimin e këtyre studentëve, pavarësisht kundërshtimeve të rektorit Ramadan Zejnullahu.

“Unë as ndihem krenar as ndihem keq për vendimin që e kam marrë. Por rektori na deklaroi diçka të çuditshme: le të vendosin çka të donë, por unë vendosi në fund”, tha Buja.

I pyetur nëse karriera e tij politike po shkon drejt përfundimit, Buja tha se nuk po e braktisë politikën, por “po u lë radhën shumë kuadrove tjera që i ka Kosova”.

Ramë Buja ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ndërsa pas luftës filloi karrierën politike me Partinë Demokratike të Kosovës. Për disa mandate ai ka qenë edhe deputet i Kuvendit të Kosovës dhe shef i Grupit Parlamentar të kësaj partie.