Qeverisë i Kërkohen Mundësi Integrimi për Komunitetet RAE

Përfaqësuesit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas (RAE) kanë kërkuar mundësi më të mëdha integrimi në institucionet dhe shoqërinë e Kosovës, në një seminar të mbajtur sot në Prishtinë.

Zëvendës Kryeministri, Kujtim Shala, ka shprehur gatishmërinë e qeverisë për ta bërë pjesën e vet të punës në krijimin e kushteve më të mira për këto komunitete.

“Tashmë kemi një dokument fillestar të strategjisë dhe planit të veprimit për përfshirjen e komuniteteve në fjalë i cili përcakton si objektiva themelore edukimin, shëndetësinë, punësimin dhe mirëqenien sociale, banimin dhe regjistrimin civil të tyre”, ka thënë Shala.

Ndërkaq koordinatorja për politikën rome e Bashkimit Evropian, Garcia Fidalgo, vlerësoi  se Kosova është në fazën e çështjeve konkrete drejt integrimit në BE.

“Kosova është përfshirë në pakon e zgjerimit dhe integrimi i komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas përbën një prioritet në tërë këtë proces”, ka deklaruar ajo.

Kurse zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Elfete Shabani, e ka konsideruar këtë dokument si një mundësi që do të krijojë lehtësira në integrimin e tyre.

Edhe deputetët përfaqësues të komuniteteve falënderuan institucionet dhe partnerët  për kontributin e tyre në përgatitjen e këtij dokumenti.