Qeveria Miratoi Projekt-Ligjet për Gjykatën Speciale

Në një mbledhje urgjente pas miratimit në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese për Gjykatën Speciale, qeveria e Kosovës miratoi dy projekt-ligje që kanë të bëjnë me këtë gjykatë.

Projekt-Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar si dhe Projekt-Ligji për Mbrojtjen Juridike dhe mbështetjen financiare të Personave të Akuzuar Potencialë në proceset gjyqësore pranë dhomave të specializuara morën dritën e gjelbër të qeverisë dhe u proceduan menjëherë për në Kuvend.

Kryesia e Kuvendit gjithashtu në mënyrë urgjente pritet t’i hedhë këto projekt-ligje për votim në një seancë të jashtëzakonshme e cila pritet të mbahet sonte.

Përderisa projekt-ligjin e parë e miratuan të gjithë anëtarët e qeverisë, në të dytin kundër votoi Zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviq.