Qeveria Jep Mbi 140 Mijë Euro për Verifikuesit e Veteranëve

Qeveria i ka ndarë sot mbi 140 mijë euro Sekretarisë së Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit apo të Internuarit të UÇK –së. Komisioni nga 11 shkurti publikoi listat e veteranëve të tri ish-zonave operative.

Me 11 shkurt Qeveria e Republikës së Kosovës, publikoi listat e veteranëve të luftës për tri zonat operative, atë të Llapit, Karadakut dhe Nerodimes.

Ata të cilët janë të pakënaqur me këtë proces kanë të drejtë ankese në Komisionin Qeveritar për njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit apo të Internuarit të UÇK -së.

Për punën që do të bëjë sekretaria e këtij komisioni, Qeveria e Kosovës të mërkurën ka ndarë 141 mijë e 700 euro.

Zëvendëskryeministri Kujtim Shala arsyetoi ndarjen e këtij buxheti për sekretarinë duke thënë se ky komision ka një punë voluminoze e cila ka koston e saj.

“Me arsyetim se Komisioni dhe Sekretaria për shkak të volumit të punëve që kanë është vlerësuar se do të vazhdojnë punën gjatë gjithë viti 2015, është propozuar që të ndahen mjete financiare në vlerë prej 141 mijë e 700 eurove për mbulimin e shpenzimeve të punës së sekretarisë së këtij komision,” tha Shala.

Sipas listave të publikuara, numri më i madh i personave të cilët ishin pjesë ë UÇK-së është në zonën e Llapit.

Në këtë zonë figurojnë 5755 persona  të cilët kanë marrë pjesë në luftë.  Por  në dallim nga kjo shifër në këtë zonë vetëm 135 pjesëtarë të UÇK-së ranë dëshmorë, ndërsa  2387 të tjerë figurojnë si veteranë.

Për dallim nga zona e Llapit, ajo e Karadakut numrat i ka më të vegjël.

Në këtë zonë ranë dëshmorë 60 veta, ndërsa si veteranë figurojnë 612 persona.

Nga zonat e publikuara deri tash më së shumti dëshmorë ka dhënë ish-Zona Operative e  Nerodimes. Në këtë zonë figurojnë 159 dëshmorë, por numrin e veteranëve kjo zonë e ka më të vogël sesa zona e Llapit.

2182 persona në Nerodime tani figurojnë si veteranë të luftës.

Sipas Ligjit të Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veteran-luftëtar i UÇK –së ,  është qytetari i Kosovës dhe shtetasi i huaj i cili është radhitur në radhët e UÇK- së dhe është regjistruar si ushtar i armatosur dhe i uniformuar nga komandat ose shtabet e zonave operative të UÇK-së, përkatësisht Shtabi i Përgjithshëm.

Për këtë kategori do të paguhen 24 milionë euro  nga Qeveria, shifër kjo që nuk dihet se kur do të fillojë të shfrytëzohet.

Agim Çeku kryetari i Komisionit Qendror Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve të UÇK-së gjatë raportimit para Komisionit për Shëndetësi e Punë Sociale pati thënë se nuk ka njohuri për mënyrën e pagesës së veteranëve luftëtarë.

 

Madje këtë dilemë e pati shprehur edhe këshilltari i kryeministrit Faik Fazliu. Ai pati dhënë vetëm  shifrën prej 24 milionë eurosh të ndara për viti 2015 për pagesë të veteranëve –luftëtarë.