Qeveria i Gëzohet Vizitës pa Incidente të Serbëve në Gjakovë

Qeveria e Kosovës është ndier e lehtësuar që një vizitë e disa pelegrinëve serbë në kishën e qytetit në Gjakovë dhe varrezat e serbëve kaloi sot pa incidente.

Në një deklaratë të lëshuar, Qeveria thotë se e çmon lartë sjelljen e qytetarëve dhe të pelegrinëve gjatë këtyre vizitave si dhe përkushtimin e kryetares së Komunës së Gjakovës dhe autoriteteve lokale të Pejës, Deçanit, Suharekës, Prishtinës, Mitrovicës dhe komunave të tjera, ku kanë qëndruar pelegrinët serbë, si dhe Policinë e Kosovës, për profesionalizmin e dëshmuar.

“Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se kjo është dëshmia më e mirë reale, e bashkëjetesës dhe tolerancës tradicionale që karakterizon qytetarët e Kosovës, të të gjitha etnive dhe besimeve fetare”, thuhet në deklaratë.

Qeveria thotë se Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj janë të përkushtuar për të respektuar të gjitha vlerat demokratike evropiane, për të qenë pjesë e botës demokratike dhe e të gjitha organizatave ndërkombëtare që kanë të bëjnë me trashëgiminë, kulturën, arsimin e shkencën dhe avancimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të gjithanshëm ndërmjet kombeve në botë.

“Me këtë rast, Qeveria e Kosovës vlerëson se pranimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), ditën e hënë, do të ishte një hap i rëndësishëm për fuqizimin e këtyre vlerave. Republika e Kosovës e meriton dhe është e gatshme të jetë anëtare e denjë e UNESCO-s, pasi që ndan dhe beson në vlera të njëjta me misionin e kësaj organizate”, thuhet në deklaratë.