Qeveria e Shqipërisë Tërhiqet nga Dënimi i “Shpifjes” si Krim Kundër Shtetit

Tiranë – Protestat dhe zemërimi publik i shkaktuar nga zbulimi i planit të qeverisë për të dënuar me tre vjet burg “shpifjen ndaj zyrtarëve të lartë” si “krim kundër shtetit” bënë që qeveria të deklarojë tërheqjen e projektligjit brenda më pak se 12 orësh nga publikimi i lajmit.

Kryeministri Edi Rama, i cili qe sponsorizuesi i propozimit, kërkoi ndjesë në një postim në Facebook sot në mëngjes (12 nëntor) dhe u përpoq të sugjeronte se bëhej fjalë për një keqkuptim dhe se synimi i tij qe që të dënonte politikanët dhe jo gazetarët.

Por pak më vonë, ministrja e marrëdhënieve me parlamentin Ermonela Felaj, deklaroi se “në emrin tim personal dhe në emër të qeverisë ju them se ne do ta tërheqim këtë projektligj”.

Mesditën e djeshme, media zbuloi një propozim të qeverisë që kishte hyrë në diskutime parlamentare më 14 tetor por që qe mbajtur i heshtur për më shumë se tri javë. Propozimi vendoste një vepër të re penale në kapitullin e krimit kundër shtetit dhe konsideronte si “shpifje” të dënueshme me tre vjet burg të çdo deklarate që i vishte një zyrtari të lartë një vepër që klasifikohet si vepër penale në kodin penal. Propozimi u kundërshtua ashpër nga organizata të të drejtave të njeriut dhe nga një pjesë e gazetarëve, të cilët e konsideruan atë si një përpjekje për të kërcënuar çdo qytetar kritik ndaj autoriteteve. BIRN Albania e cilësoi propozimin një kërcënim për demokracinë.

Disa kritikë e konsideruan propozimin si një dëm i rëndë që kryeministri Rama po ia bën vetes, duke e prezantuar veten si një armik të lirisë së shprehjes.

Rama nga ana e tij tha se kjo qe një keqkuptim.

“Asnje lidhje me shtypin kriminalizimi i shpifjes! Jo, shpifja duhet të jetë vepër penale për çdo politikan që paguhet me taksat e popullit!” tha Rama në Facebook, duke sugjeruar se vendi ka një problem me shpifjen dhe duhet të përballet me të.

Për bashkëkryetarin e maxhorancës Ilir Meta, “ka një keqkuptim midis qëllimit të kësaj iniciative dhe të mënyrës se si ka funksionuar formulimi, kështu besoj se ky keqkuptim do të zgjidhet, do të ketë një reflektim”.

Deputeti i Partisë Demokratike në opozitë Oerd Bylykbashi, pavarësisht nëse projektligji godet median, qytetarët apo opozitën, rreziku për lirinë e shprehjes është njësoj. “Një projektligj i tillë mund të heqë nga parlamenti të gjithë deputetët kritikë, pavarësisht nëse dënohet apo jo media”, tha ai.

Ndërkohë, disa shoqata gazetarësh janë duke u përgatitur për një reagim të fortë ndaj propozimit duke e konsideruar atë si një masë që bie ndesh me parimet e së drejtës dhe me lirinë e shprehjes.